Lojtarët e Anglisë pajtohen mes vete, para përballjes me Kosovën dhe Malin e Zi

  • 13 November 2019 - 14:07
Lojtarët e Anglisë pajtohen mes vete, para përballjes me Kosovën dhe Malin e Zi

Mbrojtësi i Anglisë, Ben Chillwell, ka bërë të ditur se Raheem Sterlingu ka kërkuar falje për zënkën mes tij dhe lojtarit tjetër anglez, Joe Gomez – para ndeshjeve të “Tre Luanëve” kundër Malit të Zi dhe Kosovës gjatë ditëve në vijim.

Dyshja Raheem Sterling dhe Joe Gomez u zunë mes vete gjatë përballjes mes Liverpoolit dhe Manchester Cityt në Anfield të dielën, ndërsa u ribashkuan vetëm rreth 24 orë më vonë, kur u grumbulluan në Kombëtaren e Anglisë.

Sterling raportohet se e kishte kapur për qafe Gomezin dhe i kishte thënë: “A je ende ai burri i madh?”, para se të ndaheshin nga bashkëlojtarët e tyre dhe gjyqtari.

Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, vendosi ta lërë Sterlingun jashtë skuadrës për ndeshjen e së enjtes kundër Malit të Zi, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020, për shkak se ai e kishte nisur zënkën.

Chilwell, i cili nuk e kishte parë incidentin, ka bërë të ditur se të dy lojtarët ishin ngritur në këmbë para të gjithë skuadrës së Anglisë dhe sulmuesi anësor i Manchester Cityt kishte kërkuar falje.

“Takimi ndodhi mbrëmë dhe Gareth natyrisht na foli për situatën dhe na tha çfarë mendonte ai për atë që kishte ndodhur dhe ai gjithashtu dëshironte ta dinte se çfarë mendonim ne të tjerët”, ka thënë Chilwell.

“Joe dhe Raheem e patën mundësinë të flasin, gjë që natyrisht që të dy dëshironin ta bënin. Për Raheemin, natyrisht që ai dëshironte të kërkonte falje dhe Joe dëshironte t’i thoshte disa gjëra gjithashtu. Me kaq përfundoi e gjitha”.

“Ne e mbajtëm atë takim dhe tani kemi ecur përpara. Që nga atëherë nuk kemi folur për atë gjë dhe tani jemi të përqendruar në futboll”.

E përderisa Sterlingu s’do të luajë kundër Malit të Zi, ai mund të luajë në ndeshjen e 17 nëntorit në Prishtinë, kur Kosova do ta presë skuadrën e Southgate për ndeshjen e fundit në kuadër të Grupit A kualifikues për EURO 2020.

(Kosova Sot Online)