Berisha: S’jemi nën presion, por me fat që po e përfaqësojmë Kosovën

  • 13 November 2019 - 18:00
Berisha: S’jemi nën presion, por me fat që po e përfaqësojmë Kosovën

Valon Berisha nuk e ndien presionin e fitores që Kosova duhet ta arrijë patjetër kundër Republikës së Çekisë të enjten për të mbetur në garë për kualifikim në ndeshjen e fundit kundër Anglisë, sepse thotë se e shijon faktin që është lojtar me fat që mund ta përfaqësojë vendin e vet.

Kosova do të përballet me Çekinë nesër në Plzen duke e ditur se vetëm fitorja e mban në garë për t’u kualifikuar në Euro 2020 në ndeshjen e fundit kundër Anglisë të dielën në Prishtinë.

I pyetur për presionin që ai dhe bashkëlojtarët e tij mund ta ndiejnë në prag të këtyre dy përballjeve, mesfushori i Lazios Berisha këmbënguli se ata nuk mendojnë për presionin por për faktin që janë me fat që e përfaqësojnë Kosovën.

“Unë nuk jam tip që besoj në presion, sepse në këtë pozitë vjen me punë, pra për ta bërë ëndrrën realitet. Askush nuk e beson që Kosova është kombëtare që tri vjet dhe e ka arritur këtë, prandaj ne e shohim këtë dhe nuk e shikojmë presionit, por faktin që ne e kemi fatin për ta përfaqësuar vendin tonë. Ne nuk e shikojmë çka mendojnë njerëzit por punën tonë. Ne e shohim vetëm ëndrrën për ta çuar Kosovën përpara”, tha Berisha të mërkurën në Plzen.

I pyetur nëse kjo është ndeshja më e rëndësishme e Kosovës deri tani, Berisha u përgjigj: “Çdo lojë ka qenë një finale edhe për ne për ta vazhduar ëndrrën për t’u kualifikuar në Kampionat Evropian. Kjo është ndeshja më  rëndësishme për Kosovën deri tani. Por nuk duhet t’i ushtrojmë vetes presion për këtë.”

(Kosova Sot Online)