Reja beson se do të jetë trajner i Shqipërisë për një kohë të gjatë

  • 14 November 2019 - 13:35
Reja beson se do të jetë trajner i Shqipërisë për një kohë të gjatë

Pas jehonës për stadiumin e ri kombëtar, “Air Albania Stadium”, në zemër të Tiranës, “Corriere dello Sport” i ka dhënë hapësirë edhe disa deklaratave të trajnerit të Shqipërisë, Edoardo Reja, që ka stërvitur në Itali disa ekipe.

Tashmë, objektivi është Botërori 2022 në Katar, ku Shqipëria e Reja tenton të marrë pjesë për të parë herë në një event të tillë, edhe pse nuk do të jetë e lehtë.

Reja e nis rrëfimin e tij nga stadiumi, që do të përurohet pikërisht me të në pankinë, për Shqipëri-Francë, ditën e dielë.  “Stadiumin e kam parë 3 ditë më parë, është një perlë, si një bizhuteri, impiant fantastik. Po plotësohet shumë shpejt. Një emocion i vërtetë dhe krenari të jem në inaugurim. Te Shqipëria kam marrë stimuj të ri”.

“Kur erdha, nuk gjeta një situatë pozitive. Por, tani kemi kapur ritmin. Tani na duhet të mundim Andorrën dhe do doja një nivel të mirë me Francën, për të treguar se nuk kemi kohë për të humbur”.

“Botërori 2022? Do ishte një ëndërr. Kam besim. Kemi të rinj me kualitet, që meritojnë vëmendje. Po krijojmë një situatë me grup të sigurt. Po e përgatis situatën ashtu siç kam arritur sukses me Napolin dhe Lazion. Më pëlqen gjithmonë të punoj me perspektivë”.

Praktikisht, trajneri italian me këtë deklaratë i ka rinovuar kontratën vetes, duke qenë se me Dukën do të takohet vetëm pasi të mbyllet ndeshja me Francën, kur edhe i skadon kontrata e firmosur thuajse një vit më parë.

(Kosova Sot Online)