Anglisë i nevojitet fitorja kundër Kosovës, rrezikon të jetë në grupin e vdekjes

  • 15 November 2019 - 14:40
Anglisë i nevojitet fitorja kundër Kosovës, rrezikon të jetë në grupin e vdekjes

Anglia tashmë e ka siguruar kualifikimin për Kampionatin Evropian 2020, mirëpo në rast se nuk fiton kundër Kosovës rrezikon të mbetet në grupin e vdekjes të EURO 2020 – me Portugalinë e Belgjikën.

Kosova e pret Anglinë të dielën në “Fadil Vokrri” për ndeshjen e fundit të Grupit A kualifikues për EURO 2020. Barazimi ose humbja kundër Kosovës do të bënte që Anglia të rrezikonte të mbetet e dyta në Grupin A, pas Çekisë.

Gjashtë nga dhjetë fituesit e grupeve kualifikuese për Evropian do të radhiten në vazon e parë, gjë që ua mundëson atyre të përballen me Kombëtare më të dobëta në letër në fazën e grupeve të EURO 2020.

Nëse Anglia fiton kundër Kosovës të dielën, ata kanë shumë gjasa të jenë në mesin e atyre gjashtë skuadrave. Por, nëse Anglia mbetet në vazon e dytë, shorti i 30 nëntorit mund të jetë mjaft stresues për anglezët.

Nëse përfundon në vazon e dytë, Anglia rrezikon të jetë në grupin e vdekjes në EURO, ku mund të përballet me kampionen në fuqi të Evropës, Portugalinë – që e fitoi këtë turne para katër vjetëve falë ndihmës së Cristiano Ronaldos.

“Tre Luanët” e Gareth Southgate rrezikojnë të përballen edhe me Belgjikën, që e mposhti Anglinë dy herë gjatë Kupës së Botës 2018 – 1:0 në fazën e grupeve dhe pastaj 2:0 në play-offin për vendin e tretë të turneut.

Megjithatë, se kush do të jenë kundërshtarët e Anglisë me të vërtetë në fazën e grupeve të Evropianit do të zbulohet pas 15 ditësh, në Bukuresht të Rumanisë, ku do të mbahet shorti.

(Kosova Sot Online)