Bale: Për Uellsin luaj me më shumë entuziazëm sesa për Real Madridin

  • 15 November 2019 - 15:15
Bale: Për Uellsin luaj me më shumë entuziazëm sesa për Real Madridin

Sulmuesi i Real Madridit, Gareth Bale, e ka pranuar se për të është më emocionuese të luaj për Kombëtaren e Uellsit sesa për gjigantin spanjoll.

Pasi që më parë kishte ngjallur debate të mëdha në mesin e tifozëve në Spanjë për shkak të sjelljes së tij, veçanërisht këtë sezon, 30-vjeçari Gareth Bale tani ka rrezikuar t’i zemërojë edhe më shumë tifozët madrilenë duke lënë të kuptohet se preferon të luajë për ekipin kombëtar.

Në të vërtetë, Bale nuk ka luajtur për “Los Blancos” që kur e pësoi një lëndim gjatë ndeshjeve me ekipin kombëtar të Uellsit në tetor, mirëpo ai është rikuperuar në kohë për t’u kthyer në skuadrën e Uellsit sërish për ndeshjet kualifikuese për EURO 2020 në nëntor, përkundër që as nuk ishte stërvitur për Real Madridin.

“Unë përfundimisht jam më i entuziazmuar kur luaj për Kombëtaren e Uellsit”, tha ish-ylli i Tottenhamit.

“Unë kam qenë me shumicën e lojtarëve më në moshë që kur kemi luajtur Kombëtaren U17. Është sikur të luash me shokët e tu në park një të diel. Është shumë normale”.

“Me Uellsin, unë e flas gjuhën time dhe ndihem më rehat. Por, kjo nuk e ndryshon apo e ndikon atë që unë e bëj në fushën e lojës. Unë gjithmonë e jap 100 përqindëshin tim kudo që jam, këtë e kam synim gjithmonë”.

Ndërkohë, Bale i ka kundërshtuar kritikat e mediumeve spanjolle, që pretendonin se ai është më i interesuar të luajë golf sesa të luajë për Real Madridin.

“Mua më duket qesharake të them të drejtën, veçanërisht disa fotografi dhe gjëra të cilat m’i kanë treguar shokët e mi. Disa nga gjërat që i kam parë… njerëzit nuk kuptojmë dhe nuk e dinë për çfarë po flasin. Kështu që mua më duken qesharake”.

(Kosova Sot Online)