Lojtarët më të mirë që mbeten jashtë ekipeve kombëtare

  • 15 November 2019 - 15:41
Lojtarët më të mirë që mbeten jashtë ekipeve kombëtare

Edhe pse lojtarët më të mirë të botës zakonisht shkëlqejnë edhe në ekipet e tyre kombëtare, ka disa përjashtime kur lojtarët e famshëm me klubet e tyre janë lënë jashtë ekipeve të tyre kombëtare ndër vite.

Rasti më i njohur i tillë është ai i Karim Benzemas, i cili nuk ka luajtur për Kombëtaren e Francës që nga rasti i shantazhit të Mathieu Valbuenas për një video intime. Didider Deschamps nuk dëshiron të llogarisë në sulmuesin e Real Madridit, i cili i ka shënuar 27 gola në 82 ndeshje për Francën, shkruan Marca.

Ndeshja e tij e fundit për Kombëtaren franceze ishte në tetor të vitit 2015, në një ndeshje miqësore kundër Armenisë, përderisa takimi i tij i fundit zyrtar ishte kundër Gjermanisë, në çerekfinalet e Kupës së Botës 2015.

Deschamps nuk është mbështetur as në sulmuesit e Arsenalit, Alexandre Lacazette, i cili nuk ka luajtur për Francën që nga ndeshje miqësore kundër Gjermanisë, më 14 nëntor të vitit 2017.

Ndërkohë, Adrien Rabiot dhe Anthony Martial kanë luajtur për Francën për herë të fundit më 27 mars të vitit 2018.

Shembulli më i famshëm në Kombëtaren e Spanjës është ai i Kokes, i cili i ka bërë 44 paraqitje dhe ka luajtur edhe në Kupën e Botës 2014 edhe në atë 2018, mirëpo nuk e ka veshur më fanellën e “Furisë së Kuqe” që nga 11 tetori i vitit 2018.

Kapiteni i Chelseat, Cesar Azpilicueta, ka luajtur 25 herë për Spanjën dhe kishte qenë pjesë e skuadrës për Kupat e Botën 2014 dhe 2018, si dhe në EURO 2016. Mirëpo, ai s’e ka përfaqësuar Kombëtaren e tij që nga 18 nëntori i vitit 2018, në ndeshjen miqësore kundër Bosnjës dhe Hercegovinës.

Mbrojtësi i krahut të majtë i Real Madridit, Marcelo, i ka bërë 58 paraqitje për Kombëtaren e Brazilit, mirëpo ka luajtur për këtë Kombëtare për herë të fundit më 6 korrik të vitit 2018, në ndeshjen kundër Belgjikës në Kupën e Botës.

Ndërkohë, David Luiz nuk është ftuar ende që nga 13 qershori i vitit 2017, ndërsa ndeshja e tij e fundit zyrtare kishte qenë kundër Uruguait më 26 mars të vitit 2016.

Ndeshja e fundit zyrtare e Mauro Icardit për ekipin kombëtar ishte më 11 tetor të vitit 2017 dhe ai s’është ftuar në skuadrën e Argjentinës që nga nëntori i vitit 2018.

Në Gjermani, Joachim Low ka vendosur të shkojë përpara pa Mats Hummels, Jerome Boateng e Thomas Muller, ndërsa Radja Nainggolan nuk ka luajtur për Belgjikën që nga 27 marsi i vitit 2018.

Jack Grealish nuk është ftuar kurrë nga trajneri Gareth Southgate në Angli, mirëpo paraqitjet e tij të fundit ka ngjallur debat nëse ai do të duhej të ftohej nga trajneri në të ardhmen.

Së fundi është rasti i çuditshëm i Carlos Velas, i cili nuk kishte luajtur në Kupën e Botës 2014 dhe ai s’ka luajtur për Meksikën që nga Kupa e Botës 2018 në Rusi, edhe pse ai e bëri të qartë se nuk kishte probleme me trajnerin e Kombëtares, Gerardo Martinon.

(Kosova Sot Online)