Bale tradhton Real Madridin: Ndihem më mirë kur luaj me...

  • 15 November 2019 - 22:00
Bale tradhton Real Madridin: Ndihem më mirë kur luaj me...

Gareth Bale është gjithnjë e më shumë një enigmë për Real Madridin. Pas stërvitjes me grupin tek Uellsi, të hënën (prej një muaji ishte pushim te klubi, për shkak të dëmtimeve), ish-ylli i Tottenham tha se është më mirë në ekipin kombëtar.

Në një konferencë për shtyp, në prag të ndeshjes kundër Azerbajxhanit, Bale krahasoi dy situatat e tij me klubin dhe kombëtaren: "Më duket shumë më mirë kur luaj me Uellsin sesa me Real Madridin. Është si të luash me miqtë tuaj të dielën në park. Është krejt normale. Me Uellsin flas gjuhën time, ndihem më mirë. Angazhimi në fushë nuk ndryshon. Unë jap gjithmonë 100%, kudo që të jem”. 

Bale foli gjithashtu për dëmtimin e tij, pasi Zidane e kishte përsëritur se nuk kishte asnjë dëmtim te Real Madridi: "Nuk jam i sigurt se mund t’i luaj të dyja sfidat kualifikuese nga 90 minuta. Nëse do të kisha luajtur një ndeshje me Real Madridin, mund të isha plotësisht i disponueshëm. Është thjesht rastësi që po luaj me ekipin kombëtar këtë javë". Para se të kthehej në stërvitje të plotë me Uellsin, Bale kishte luajtur për herë të fundit po me kombëtaren, kundër Kroacisë.

(Kosova Sot Online)