Trajneri i Brazilit: Messi më tha ta mbyllja gojën

  • 16 November 2019 - 08:16
Trajneri i Brazilit: Messi më tha ta mbyllja gojën

Trajneri i Kombëtares së Brazilit, Tite, pretendon se kapiteni i Kombëtares së Argjentinës, Lionel Messi, i tha atij ta mbyllte gojën, gjatë ndeshjen miqësore mes dy rivalëve të mëdhenj të Amerikës së Jugut.

Lionel Messi u kthye në ekipin kombëtar të Argjentinës pas tre muajve mungesë dhe e ndihmoi skuadrën e tij të fitojë me rezultat 1:0 kundër Brazilit, falë golit të tij të shënuar në minutën e 13-të në Riyadh.

Ylli i Argjentinës Messi kishte munguar në katër ndeshjet paraprake të ekipit kombëtar për shkak se ishte dënuar që e kishte akuzuar CONMEBOL-in (Konfederata e futbollit në Amerikën e Jugut, ekuivalente me UEFA-n në Evropë) se po e favorizonte Brazilin – që e kishte fituar takimin në gjysmëfinale – në Kupën e Amerikës.

Messi u përfshi sërish në një incident, pasi që ai dhe Tite shkëmbyen fjalë gjatë pjesës së parë dhe ylli i Barcelonës i vendosi gishtat e tij mbi buzë, përderisa trajneri i Brazilit po ankohej te gjyqtari.

“Unë u ankova sepse Messi duhej të ishte ndëshkuar me karton të verdhë dhe ai më tha ta mbyllja gojën dhe unë pastaj i thashë atij ta mbyllë gojën. Kjo ishte e gjitha”, tha Tite.

“Nuk dua të flas për këtë më. Ne kemi nevojë për një gjyqtar të fortë sepse ai do të të gëlltitë… duhej të kishte qenë karton i verdhë, kisha të drejtë që u ankova”.

Goli i Messit bëri që Brazili – që kanë qenë në formë të dobët që kur u shpallën kampionë të Kupës së Amerikës verës – ta vazhdojë ecurinë në pesë ndeshje radhazi të zhvilluara pa fitore.

(Kosova Sot Online)