Anglia vjen sot në Kosovë, detaje nga agjenda e “Tre Luanëve”

  • 16 November 2019 - 08:26
Anglia vjen sot në Kosovë, detaje nga agjenda e “Tre Luanëve”

Njëra ndër Kombëtaret më të mëdha në botën e futbollit dhe gjysmëfinalistja e Kupës së Botës 2018, Anglia, do të arrijë sot në Kosovë, për ndeshjen që nesër do të zhvillohet në “Fadil Vokrri”.

Kosova do ta presë nesër në orën 16:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë Kombëtaren e Anglisë, për ndeshjen e fundit në kuadër të Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020.

Para kësaj ndeshjeje, Kombëtarja e Anglisë do të arrijë në aeroportin “Adem Jashari” sot në orën 18:30, ndërsa trajneri anglez Gareth Southgate do të mbajë konferencë në Prishtinë në orën 19:30.

Vlera e kësaj ndeshjeje të së dielës ka rënë për Kosovën pas humbjes të së enjten në Çeki, pasi që tani “Dardanët” e kanë të pamundur të kualifikohen në Kampionatin Evropian 2020 përmes Grupit A.

Në anën tjetër, Anglia e ka siguruar kualifikimin, mirëpo i duhet fitorja për t’u siguruar që është fituese e grupit. Nëse e kalon grupin si fituese, Anglia ka më shumë gjasa të përballet me Kombëtare më të dobëta në letër në fazën e grupeve të Evropianit.

(Kosova Sot Online )