Mediumi francez: Kosovarët, të kënaqur që do të përballen me aleatët anglezë

  • 16 November 2019 - 10:38
Mediumi francez: Kosovarët, të kënaqur që do të përballen me aleatët anglezë

Agjencia e lajmeve franceze, AFP, e ka publikuar një artikull për mikpritjen që kosovarët kanë planifikuar t’ua bëjnë anglezët, shkaku i ndihmës që këta të fundit ia dhanë Kosovës në fund të viteve të 90-ta.

Kosova ende shpreson të kualifikohet për herë të parë në histori në Kampionatin Evropian 2020, mirëpo e ka përgatitur mikpritjen më të ngrohtë për Anglinë, kundërshtarin e tyre të së dielës që e konsiderojnë si aleat për shkak të rolit të anglezëve në pavarësimin e Kosovës dhe luftës së viteve të 90-ta, shkruan AFP.

Pas disfatës me rezultat 2:1 kundër Republikës Çeke të enjten, të rinjtë e Kosovës nuk mund të kualifikohen në Kampionatin Evropian më përmes fazës së grupeve. Megjithatë, Kosova do të jetë në play-offs në mars, pasi që e ka zënë vendin aty përmes Ligës së Kombeve. Kështu që ëndrra e kualifikimit mund të bëhet ende realitet.

Pasi që Anglia veçse është kualifikuar në Kampionatin Evropian 2020, pas fitores bindëse 7:0 kundër Malit të Zi të enjten, ndeshja e së dielës ka pak vlerë. Mirëpo, autoritetet përgjegjëse dhe tifozët në ish-krahinën serbe janë duke u përgatitur për t’i mirëpritur mysafirët e tyre.

Në pankartat e shpërndara nëpër kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, shkruhen “Welcome&Respect” për Anglinë në një territor ku disa të rinj e mbajnë emrin Tony Blair për nder të ish-kryeministrit të Britanisë së Madhe.

“Falë juve, tani ne luajmë kundër juve! Përgjithmonë mirënjohës ndaj teje, Anglia jonë e dashur!”, shkruhej në një tjetër pankartë në Prishtinë.

Blair dhe presidenti i SHBA-së, Bill Clinton, ishin më të zëshmit në kampanjën bombarduese të NATO-s në vitin 1999 kundër Serbisë, në përgjigje ndaj konfliktit të presidentit të atëhershëm të Serbisë, Slobodan Milosevicit, me shqiptarët etnikë të Kosovës që e donin pavarësimin.

Një dekadë më pas konfliktit në fund të viteve të 90-ta, Kosova e shpalli pavarësinë nga Serbia – vendim ky që u njoh nga më shumë se 100 vende, përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe dhe shumicën e anëtareve të Bashkimit Evropian.

Rreth 15 mijë bileta u shiten brenda pak orëve të enjten për ndeshjen e së dielës. Një ekran i madh është ngritur në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë për t’ua dhënë mundësinë ta shijojnë lojën edhe atyre që s’kanë marrë dot bileta.

Dardanët, siç e quajnë veten tifozët e Kosovës, kanë premtuar pritje të mrekullueshme për lojtarët dhe tifozët e Anglisë. Një dyqan në qendër të Prishtinës e ka vendosur një pankartë të madhe  me fotograinë e Raheem Sterlingut dhe e kanë shkruar “Mirësevjen broo”. 

(Kosova Sot Online)