Shaqiri kishte qenë afër t’i bashkohej Kosovës, zbulohen bisedimet me Fadil Vokrrin

  • 16 November 2019 - 10:59
Shaqiri kishte qenë afër t’i bashkohej Kosovës, zbulohen bisedimet me Fadil Vokrrin

Gramoz Vokrri, djali i legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri, ka zbuluar se Xherdan Shaqiri ishte shumë afër që të bëhej pjesë e Kombëtares së Kosovës.

Gjatë kohës sa Fadil Vokrri ishte president i Federatës së Futbollit të Kosovës, Gramoz Vokrri pretendon se babai i tij kishte qenë në bisedime me Xherdan Shaqirin, në mënyrë që ky i fundit t’i bashkohej Kombëtares së Kosovës.

“Mund të them lirisht si njeri i afërt i Vokrrit (babait të tij) që kam qenë, Xherdan Shaqiri ka qenë njëri ndër lojtarët e parë shqiptar që ishte afër të luajë për Kosovën. Këtë po e them sepse i di bisedat që i ka zhvilluar ai me Vokrrin”, ka thënë Gramozi në në një televizon.

Megjithatë, Shaqiri në fund u vendos ta vazhdojë karrierën e tij me Kombëtaren e Zvicrës. Por, Gramoz Vokrri beson se ai është ende ambasador i Kosovës.

“Xherdan Shaqiri është ambasador i Kosovës. Është lojtari i parë që ka fituar Ligën e Kampionëve, me Bayern Munich. Kur ka festuar ai nuk e ka harru prejardhjen dhe e ka vendos flamurin e Kosovës dhe Zvicrës, afër kupës së Ligës së Kampionëve”, shtoi Gramozi. 

Shaqiri e fitoi medaljen e artë të Ligës së Kampionëve edhe sezonin e kaluar me Liverpoolin, mirëpo ky sezon për të nuk ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme, pasi që ai është përballur me lëndime.

(Kosova Sot Online)