Anglia i humb dy yjet e skuadrës për ndeshjen kundër Kosovës

  • 16 November 2019 - 11:45
Anglia i humb dy yjet e skuadrës për ndeshjen kundër Kosovës

Jordan Henderson dhe Joe Gomez s’do të mundë të luajnë në ndeshjen e Anglisë kundër Kosovës të dielën, që është ndeshja e fundit në kuadër të kampanjës kualifikuese për Kampionatin Evropian.

Kapiteni i Liverpoolit, Jordan Henderson, erdhi në seancën stërvitore të fundit të Tre Luanëve i sëmurë me një virus, nga i cili e ka të pamundur të rikuperohet në kohë për ndeshjen në Kosovë.

Ndërsa Joe Gomez e përplasi gjurin me Kieran Trippier në seancën stërvitore të së premten dhe ai shpresonte se lëndimi do t’i shërohej në kohë, por ka ende shumë dhimbje dhe s’ka arritur të stërvitet.

Dyshja tani është kthyer në Liverpool dhe kjo bën që Gareth Southgate të udhëtojë sot në Prishtinë me një skuadër prej 23 futbollistëve.

Vlera e kësaj ndeshjeje të së dielës ka rënë për Kosovën pas humbjes të së enjten në Çeki, pasi që tani “Dardanët” e kanë të pamundur të kualifikohen në Kampionatin Evropian 2020 përmes Grupit A.

Në anën tjetër, Anglia e ka siguruar kualifikimin, mirëpo i duhet fitorja për t’u siguruar që është fituese e grupit. Nëse e kalon grupin si fituese, Anglia ka më shumë gjasa të përballet me Kombëtare më të dobëta në letër në fazën e grupeve të Evropianit. 

(Kosova Sot Online)