Southgate: Është mëkat që Kosova s’u kualifikua në EURO

  • 16 November 2019 - 12:50
Southgate: Është mëkat që Kosova s’u kualifikua në EURO

Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, ka thënë se është mëkat që Kosova e humbi shansin e parë t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian 2020 PËRMES Grupit A dhe ka thënë se ndeshja në Prishtinë do të jetë një test i  mirë për ta.

Kosova do ta presë nesër në orën 16:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë Kombëtaren e Anglisë, për ndeshjen e fundit në kuadër të Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020.

Para kësaj ndeshjeje, Kombëtarja e Anglisë do të arrijë në aeroportin “Adem Jashari” sot në orën 18:30, ndërsa trajneri anglez Gareth Southgate do të mbajë konferencë në Prishtinë në orën 19:30.

Ndeshja e parë mes Kosovës dhe Anglisë, e zhvilluar në stadiumin St.Mary’s kishte përfunduar me rezultat 5:3, por Gareth Southgate ka theksuar se Anglia do t’i bëjë disa ndryshime.

“Do t’i bëjmë disa ndryshime në formacion, natyrisht”, është deklaruar fillimisht Southgate.

“Ne e dimë se do të jetë një natë e madhe për kosovarët”, ka vazhduar ai.

“Është një mëkat për ta që nuk janë më pjesë e kësaj gare. Por, ata kanë ende gjasë nga play-offi, e që do të jenë një rrezik i madh nga ata”.

“Do të jetë një test i mirë për ne, pasi që do të jetë një ambient i mirë. Entuziazmi i tyre është i lartë dhe ne duam të mbesim lider në grup me më shumë pikë që mund të marrim”.

Vlera e kësaj ndeshjeje të së dielës ka rënë për Kosovën pas humbjes të së enjtes në Çeki, pasi që tani “Dardanët” e kanë të pamundur të kualifikohen në Kampionatin Evropian 2020 përmes Grupit A.

Në anën tjetër, Anglia e ka siguruar kualifikimin, mirëpo i duhet fitorja për t’u siguruar që është fituese e grupit. Nëse e kalon grupin si fituese, Anglia ka më shumë gjasa të përballet me Kombëtare më të dobëta në letër në fazën e grupeve të Evropianit. 

(Kosova Sot Online)