The National: Pesë mësimet që Anglia mund t’i nxjerrë nga ndeshja kundër Kosovës

  • 16 November 2019 - 13:20
The National: Pesë mësimet që Anglia mund t’i nxjerrë nga ndeshja kundër Kosovës

Përderisa Anglia po përgatitet për t’u përballur me Kosovën,  në ndeshjen e fundit në kuadër  të Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020, në “Fadil Vokrri”, gazeta The National e ka publikuar një artikull me pesë mësimet që mund t’i nxjerrë trajneri Gareth Southgate nga kjo ndeshje.

Kombëtarja e Kosovës do ta presë nesër në orën 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë Kombëtaren e Anglisë, për ndeshjen përmbyllëse të Grupit A kualifikues për EURO 2020.

Përderisa Kosova e humbi shansin të kualifikohet nga Grupi A në EURO 2020 me humbjen në Çeki, Anglia e ka siguruar vendin në Evropian me fitoren 7:0 kundër Malit të Zi, që ishte e gjashtë në shtatë ndeshjet e zhvilluara në Grupin A.

E pasi që Anglia tashmë e ka të sigurt kualifikimin, gazeta The National beson se trajneri Southgate do ta shfrytëzojë këtë ndeshje për t’i nxjerrë pesë mësime të rëndësishme:

1.  A është Maddisoni mesfushori “kreativ” i duhur?

Gareth Southgate zakonisht i ka inkuadruar në skuadër talentet e reja shumë shpejt, por jo në rastin e James Maddison. Mesfushori i Leiceterit debutoi më në fund për Anglinë të enjten, mirëpo ndeshja kundër Kosovës mund të jetë ndeshja që ai e dëshmon veten se e meriton një vend në formacionin e parë të Southgate.

2. A meriton Abraham më shumë mundësi?

Tammy Abraham është golashënuesi i dytë më i mirë në Premierligë, mirëpo në pozitën e qendërsulmuesit të Anglisë titullar është kapiteni i Harry Kane. Por, ndeshja kundër Kosovës mund t’i shërbejë Southgate për ta kuptuar se nëse Kane lëndohet, a duhet ta zëvendësojë atë Rashford apo Abraham?

3. Testimi i Winks në mbrojtje

Harry Winks ka qenë duke shkëlqyer në pozitën e mesfushorit defansiv për Anglinë, megjithatë Southgate duhet ta mësojë nëse ai i ka cilësitë e duhura për t’u përdorur në vijën e mbrojtjes kundër skuadrave më të forta.

4. Vendosja e partnerit të Maguire

Harry Maguire e ka zënë vendin si njëri qendërmbrojtës në formacionin e parë të Anglisë, por Southgate ende s’është i sigurt se është John Stones apo Tyrone Mings partneri i tij i duhur.

5. Kush duhet të luajë në krahët e mbrojtjes

Southgate ka shumë opsione prej të cilave duhet të zgjedhë kur vjen fjala te mbrojtësit anësorë. Kundër Kosovës, ai mund ta testojë dikë tjetër. 

(Kosova Sot Online)