Nga kënga e Botërorit 2018 te “Xhamadani vija-vija”, zbulohet inaugurimi artistik i stadiumit të ri kombëtar

  • 16 November 2019 - 13:41
Nga kënga e Botërorit 2018 te “Xhamadani vija-vija”, zbulohet inaugurimi artistik i stadiumit të ri kombëtar

17 nëntori do të mbetet në historinë e futbollit shqiptar, sepse do të inaugurohet stadiumi i ri kombëtar, ose siç njihet ndryshe “shtëpia e kuqezinjve”.

Pavarësisht emrit komercial që ka marrë impianti i ri luksoz e komod në kryeqytet, ai lidhet drejtpërdrejt me kombëtaren tonë të futbollit. Starti i kuqezinjve aty do të nisë nesër në mbrëmje, duke pasur mysafirë specialë, edhe pse kundërshtarë tepër të fortë në fushën e blertë, kampionët e botës në fuqi.

Pra, ndeshja kualifikuese Shqipëri-Francë, e fundit për fazën e grupit H eliminator të “Euro 2020”, do të jetë edhe festë sportive.

Veç të fturave VIP, ish-futbollistëve të shquar të kombëtares etj., do të ketë edhe këngëtarë me emër, që do të performojnë në tapetin e blertë, para se topi të nisë të ecë në këmbët e 22 futbollistëve.

E kemi fjalën për ceremoninë e inaugurimit, që do t’i paraprijë ndeshjes së futbollit. Spektakli artistik do të drejtohet nga prezantuesi i njohur shqiptar, Ardi Gjebrea. Sipas “Anabel”, gjithçka do të hapet me performancën e Era Istrefit, e cila këndoi edhe këngën zyrtare të “FIFA World Cup 2018” në Moskë, në ceremoninë e hapjes së këtij kompeticioni golbal, të titulluar “Live it up”.

Pas saj, në skenë do të ngjitet Flori Mumajesi me këngën hit të tifozërisë së kombëtares, “Kuq e zi je ti”, por pa Elvana Gjatën në krah. “Xhamadani vija-vija” do të interpretohet e treta nga zëri buçitës i Aurela Gaçes.

Po kështu, është menduar që edhe dy himnet kombëtare, ai shqiptar dhe i Francës, të këndohen “live” nga dy këngëtare.

“Himni i flamurit” do të vihet në gojën e Juliana Pashës, ndërsa “La Marseillaise” i është besuar zërit të veçantë të Besa Kokëdhimës. Kjo është vetëm “pjesa e luanit” e ceremonisë së inaugurimit të stadiumit të ri kombëtar, sepse organizatorët kanë menduar edhe për befasi të tjera artistike.

(Kosova Sot Online)