Sonte përurohet stadiumi modern “Air Albania” me ndeshjen Shqipëri-Francë

  • 17 nëntor 2019 - 10:34
Sonte përurohet stadiumi modern “Air Albania” me ndeshjen Shqipëri-Francë

Përurimi i shtëpisë së re, investimi më i madh në infrastrukturën sportive në gjithë historinë e vendit, Franca kampionë e botës si mysafire, përballë të ftuarve të rëndësishëm në tribuna, duke nisur nga presidenti i UEFA-s, Ceferin, e personalitete të tjera, impianti mbi 22 mijë vendësh i shitur i gjithi, me kërkesën për bileta që ka qenë e pamundur për t’u kënaqur.

Do të jetë një mbrëmje gala dhe për të “zonjën e shtëpisë”, Shqipërinë, paraqitja në këtë mbrëmje historike do të jetë e rëndësishme. Mision aspak i lehtë. pasi bëhet fjalë për Francën, që vjen e motivuar për të blinduar kreun e grupit e për të evituar më pas një short të komplikuar, por në krahun e Shqipërisë këtë herë është fakti se nuk ka se çfarë të humbë, mund t’i luajë shanset e saj pa presionin e rezultatit. 

Një situatë ku Shqipëria ka ditur të bëjë mirë ndaj “Gjelave” në miqësoret e fushatës eliminatore për “Euro 2016”. Siguruam të vetmen fitore ndaj tyre falë atij goli të Ergys Kaçes, ndërsa në Rennes barazuam 1-1, me blutë që arritën të shënonin pas golit të Mërgim Mavrajt.

Në të gjitha ndeshjet e tjera, më saktësisht 6 zyrtare, jemi mundur, duke përfshirë këtu edhe sfidën në Europian, ku Francezët arritën ta zgjidhin vetëm në fund, e po ashtu dhe takimin e mëparshëm të këtyre eliminatoreve, ku Shqipëria pësoi 4 gola. Ajo, në fakt, është një sfidë që është mbajtur shënim nga Edy Reja në kërkim të mosrënies në të njëjtat gabime, që kushtëzuan atë ndeshje.

Shqipërisë, përveç rezonancës ndërkombëtare që ka kjo sfidë, i duhet një paraqitje e madhe edhe për moralin, sidomos pas asaj sfide të barazuar 2-2 me Andorrën. Të paktën, këtë herë, është e sigurt se motivimi nuk ka se si të mungojë.

(Kosova Sot Online)