Abidal: Lautaro është lojtar i kompletuar, Barcelona po e ndjek atë

  • 17 November 2019 - 13:30
Abidal: Lautaro është lojtar i kompletuar, Barcelona po e ndjek atë

Drejtori sportiv i Barcelonës, ëEric Abidal ka konfirmuar se ata janë duke ndjekur sulmuesin e Interit, Lautaro Martinez.

Argjentinasi shënoi kundër Barcelonës më herët në Ligën e Kampionëve, dhe kjo duket se ka rënë në sy të drejtuesve të ekipit Blaugrana.

Kampionët spanjollë po kërkojnë një sulmues për të zëvendësuar Luis Suarezin, i cili do të jetë 33 vjeç në fund të sezonit, dhe Martinez mendohet se është ndër emrat kryesorë për ta zëvendësuar atë.

Në një intervistë për gazetën spanjolle Mundo Deportivo, Abidal ka thënë se sulmuesi i Interit është njëri nga një numër i sulmuesve që klubi po ndjek.

“Martinez është një lojtar i kompletuar. Unë mendoj se po luan në një nivel shumë të mirë”, ka thënë fillimisht Abidal.

“Ai është një lojtar për të cilin ne jemi të vetëdijshëm dhe e dimë cilësinë e tij, por ka edhe lojtarë të tjerë me të njëjtat karakteristika”, përfundoi francezi.

Martinez ka shënuar tetë gola në 16 ndeshje për Nerazzurrët këtë sezon dhe tashmë luan përkrah Lionel Messit për kombëtaren e Argjentinës.

Për yllin e Interit, interesim kanë shprehur edhe dy klubet angleze, Manchester City dhe Manchester United.

(Kosova Sot Online)