Ronaldo më në fund deklarohet për situatën e krijuar te Juventusi

  • 18 November 2019 - 12:36
Ronaldo më në fund deklarohet për situatën e krijuar te Juventusi

Superylli portugez u zëvendësua në dy ndeshje radhazi, fillimisht në Ligën e Kampionëve ndaj Lokomotiv Moskës dhe pastaj ndaj Milanit në Serie A duke nxitur reagimin e tij. Sjellja e 34-vjeçarit shkaktoi bujë në mediat sportive duke u thënë madje se e kishte sharë trajnerin Maurizio Sarri teksa u largua drejt tunelit.

Megjithatë, vet Ronaldo ka vendosur t’u japë fund spekulimeve duke konfirmuar se ka pasur probleme me gjendjen e tij fizike, ashtu siç kishte thënë edhe trajneri i Juves.

“Në tri javët, kam luajtur i kufizuar. Nuk ka pasur kurrfarë kundërthënie, ju i krijoni kundërthëniet”, u ka thënë CR7 gazetarëve, citon Record. 

“Nuk më pëlqen të më zëvendësojnë, por kam luajtur i kufizuar në tri javët e fundit, jam përpjekur t’i ndihmoj Juventusit, madje duke qenë i lënduar”.

“Akoma nuk jam në qind për qindëshin tim, mirëpo kur vjen fjala që të sakrifikohem për klubin apo skuadrën, e bëj me krenari, sepse e di se kanë qenë shumë ndeshje për të rrëmbyer”.

“Nuk kam pasur kurrë lëndime të mëdha. Unë i luaj 50 apo 60 ndeshje në vit, por në një moment a një tjetër mund të ndodhë diçka e paparashikuar: Është një dhimbje që më pengon të jem në qind për qindëshin tim. Mirëpo, unë gjithmonë mundohem të ndihmoj”.

“Ka pasur shumë kundërthënie lidhur me këtë temë, pa pasur shumë për t’u thënë. Ne fituam. Juventusi është në vend të parë, ne (Portugalia) u kualifikuam (në ‘Euro 2020’) dhe unë do të jem në formën maksimale sa më shpejt që është e mundur”, ka sqaruar Ronaldo.

(Kosova Sot Online)