Daniel James krahasohet me Mbappen nga trajneri kundërshtar

  • 19 November 2019 - 11:20
Daniel James krahasohet me Mbappen nga trajneri kundërshtar

Sulmuesi anësor i Manchester Unitedit, Daniel James, është krahasuar me fituesin e Kupës së botës Kylian Mbappe nga trajneri i Hungarisë, Marco Rossi. Ky i fundit ka thënë se uellsiani ka dalë nga i njëjti kallëp me Mbappen.

Shpejtësia është njëra ndër fuqitë më të mëdha në stilin e lojës të 22-vjeçarit Daniel James. Vrapimet e tij në fushën e lojës kanë bërë që ai të marrë shumë vëmendje që kur u transferua në Manchester United gjatë verës së këtij viti.

Një transferim në vlerë prej 15 milionë funtesh nga Swansea gjatë verës ishte pikërisht shpërblimi për Jamesin, pas paraqitjeve të tij mbresëlënëse në klubin e Championshipit, nivelit të dytë të futbollit në Angli.

Ai tani është duke shkëlqyer në skenën e Premierligës. Statistikat e tij për sezoni 2019/20 e bëjnë atë njërin ndër lojtarët më të mirë të Manchester Unitedit, që nuk e ka nisur sezonin e ri në mënyrën më të mirë të mundshme.

James është gjithashtu lojtar kyç në ekipin kombëtar të Uellsit, përkundër mungesës së përvojës. Trajneri i Kombëtares me të cilën do të përballet tani James është i vetëdijshëm për rrezikun që mund t’ia shkaktojë lojtari të cilin ai e ngjason me Mbappen e Paris Saint-Germainit.

“James është një lojtar që luan me një biçikletë motorike sepse ai është shumë e shpejtë. Unë kurrë s’e kam parë dikë më të shpejtë se ai së fundi, ndoshta Mbappen. Ai është i pabesueshëm”, ka thënë Rossi, para përballjes vendimtare për EURO 2020 mes Uellsit dhe Hungarisë.

“Nëse i lëmë atij hapësirë për të vrapuar, ai mund të jetë i rrezikshëm. Ky mund të jetë çelësi, por ne do të punojmë shumë në vijën e mbrojtjes dhe do të tentojë t’u japim vetëbesim lojtarëve tanë”.

Uellsi duhet ta mposhtë Hungarinë në stadiumin e qytetit në Cardiff për t’ia dhënë vetes mundësinë për ta siguruar kualifikimin e drejtpërdrejtë në Kampionatin Evropian 2020. 

(Kosova Sot Online)