Hazardi i përgjigjet Wengerit, i cili e quajti të trashë

  • 19 November 2019 - 11:44
Hazardi i përgjigjet Wengerit, i cili e quajti të trashë

Ylli i Real Madridit dhe Kombëtares së Belgjikës, Eden Hazard, pretendon se është në formë të mirë fizike, përkundër që pesha e tij u vë në pikëpyetje nga Arsene Wenger.

Ish-ylli i Chelseat ka qenë në qendër të vëmendjes që kur u transferua nga Stamford Bridge në Santiago Bernabeu gjatë afatit kalimtar të verës së kaluar.

Ish-trajneri i Arsenalit, Wenger, ishte në mesin e shumë personave që sugjeruan se Hazardi kishte mbërritur në Spanjë “shumë i rëndë” për ta nisur një eksperiencë të re në karrierën e tij.

“Mendoj se kjo erdhi më shumë për shkak të arsyeve fizike. Ai ishte shumë i rëndë, siç shkruanin edhe gazetat. Nëse ju doni që një kali ta humbë një garë, shtoja dy kilogramë dhe kjo mjafton”, kishte thënë Wenger.

Mirëpo, Hazardi i refuzoi sugjerimet se ai kishte qenë mbipeshë kur kishte shkuar në Real Madrid. Ai beson se atij thjesht iu nevojit pak kohë për t’u përshtatur me ambientin e ri.

“Gjatë muajit të fundit, unë kam qenë në formë të mirë dhe s’kam pësuar lëndime. Jam në formë të mirë fizike. Kur jam në fushë, gjithmonë do ta jap më të mirën time, me Real Madridin e Belgjikën. Unë vetëm dua ta vazhdoj këtë ecuri”, tha Hazardi.

Hazardi tani po shpreson se Belgjika do ta mbyllë kampanjën kualifikuese për EURO 2020 me një fitore në shtëpi kundër Qipros, të martën.

“Është mirë që ndeshjen e fundit do ta luajmë në shtëpi, veçanërisht kur tashmë je kualifikuar. Nuk ke asgjë në rrezik, por shpreson të festosh me tifozët kundër Qipros”, shtoi Hazardi.

“Ne u përballem me problem kur fituam jashtë shtëpisë, kështu që nuk do të jetë e lehtë. Por shpresojmë se ne do të shënojmë gola, ta mbajmë portën e paprekur dhe t’i mbajnë tifozët të lumtur”. 

(Kosova Sot Online)