Trajneri i Belgjikës: E meritojmë ta fitojmë EURO 2020

  • 20 November 2019 - 09:27
Trajneri i Belgjikës: E meritojmë ta fitojmë EURO 2020

Trajneri i Kombëtares së Belgjikës, Roberto Martinez, beson se Belgjika e meriton ta fitojë trofeun e EURO 2020, por është i vetëdijshëm se kjo nuk do të ketë vlerë të madhe nëse ata nuk performojnë në ndeshjet e turneut.

Belgjika e kompletoi kampanjën kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020 të martën, duke e mposhtur bindshëm Qipron me rezultat 6:1, për ta mbyllur Grupin I me 10 fitore nga po aq ndeshje dhe duke i shënuar plot 40 gola.

Martinez tashmë beson se ka parë mjaftueshëm nga skuadra e tij për të sugjeruar se Belgjika e meriton ta fitojë trofeun e Kampionatit Evropian 2020, edhe pse është i vetëdijshëm se ka ende shumë punë për të bërë.

“Se a mund ta fitojmë Kampionatin Evropian, kjo është diçka që e kemi në duart tona. Ne duhet të përmirësohemi edhe më shumë dhe pastaj ta shohim se mund të jemi të mrekullueshëm gjatë turneut”, ka thënë Martinez.

“Ne i kemi vendosur standardet në Kupën e Botës dhe po vazhdojmë të zhvillohemi si skuadër dhe e kuptojmë rolin e madh të të qenët të bashkuar. Edhe tifozët janë të rëndësishëm, gjithashtu”.

“Ne tani i kemi shtatë muaj për t’u bërë sa më të mirë që mundemi. Kjo skuadër e meriton ta fitojë trofeun e Kampionatit Evropian. Por, në futboll, gjërat nuk janë kaq të thjeshta”.

Belgjika ishte eliminuar në fazën çerekfinale të Kampionatin Evropian 2016, pasi kishte pësuar disfatë me rezultat 3:1 në ndeshjen kundër Uellsit. 

(Kosova Sot Online )