Tottenhami i paguan Pochettinos dëmshpërblim prej 20 milionë funtesh

  • 20 November 2019 - 09:39
Tottenhami i paguan Pochettinos dëmshpërblim prej 20 milionë funtesh

Mauricio Pochettino i ka fituar rreth 20 milionë funte për shkarkimin e tij nga pozita e trajnerit të Tottenhamit – shumë kjo e ngjashme me atë që Jose Mourinho e fitoi kur u shkarkua nga posti i trajnerit të Manchester Unitedit.

E përditshmja britanike, Mirror, raporton se drejtuesit e Tottenhamit u detyruan t’ia japin një shumë të madhe parash Mauricio Pochettinos dhe stafit të tij për shkak se i larguan nga puna e tyre para se t’u përfundonte kontrata.

Pochettino dhe i gjithë stafi i tij nënshkruan kontrata të reja pesëvjeçare në maj të vitit 2018 dhe mediumet britanike raportonin se Pochettino s’ishte i gatshëm të largohet nga klubi londinez pa e marrë dëmshpërblimin.

Nën udhëheqjen e Pochettinos gjatë kësaj periudhe, Tottenhami përfundoi në top katërshe të Premierligës katër herë, si dhe arriti në finale të Ligës së Kampionëve në sezonin 2018/19. Tani, në pozitën e Pochettinos është emëruar Jose Mourinho, i cili në dhjetor të vitit të kaluar u shkarkua nga Manchester Unitedi.

Derisa Tottenhami pati një sezon të suksesshëm në Evropë edicionin e kaluar, forma e tij në ligë ka qenë tejet e dobët shumicën e vitit 2019. Që prej fitores 3:1 kundër Leicester City më 10 shkurt, Tottenhami i ka fituar vetëm gjashtë nga 24 ndeshjet e fundit në Premierligë.

Momentalisht, Tottenhami renditet në pozitën e 14-të në Premierligë.

(Kosova Sot Online )