Uebsajti Goal e paraqet Kosovën si pjesë të Serbisë

  • 20 November 2019 - 10:46
Uebsajti Goal e paraqet Kosovën si pjesë të Serbisë

Uebsajti ndërkombëtar i futbollit, Goal.com, e ka publikuar një hartë të gabuar, që ka ngjallur kritika të mëdha, në llogarinë e vet në rrjetin social Facebook, ku Kosova është ilustruar si pjesë e Serbisë, përkundër sukseseve që i arriti gjatë kësaj kampanje kualifikuese për EURO 2020.

Kosova u bë njëra ndër temat kryesore në botën e futbollit me arritjet dhe paraqitjet e saja në Ligën e Kombeve dhe në kampanjën kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020.

Veçanërisht ndeshja e fundit e Grupit A kualifikues për EURO 2020 e Kosovës, në shtëpi kundër Anglisë, bëri që Kosova të lavdërohet nga mediumet botërore, falë mikpritjes së mirë në një kohë kur thirrjet raciste kanë dominuar në ballinat e gazetave.

Mirëpo, Goal.com i la anash këto arritje të Kosovës, kur e publikoi një hartë të gabuar të Evropës, ku Kosova shfaqet si pjesë e Serbisë.

“Euro 2020 po formësohet mirë. Cilët janë të preferuarit e juaj?”, shkroi faqja zyrtare e Goal.com, mbi fotografinë ku shfaqen 20 Kombëtaret që e kanë siguruar një vend për t’u kualifikuar në EURO 2020.

(Kosova Sot Online)