Kane e falënderon Pochettinon e shkarkuar me një mesazh emocional

  • 20 November 2019 - 11:12
Kane e falënderon Pochettinon e shkarkuar me një mesazh emocional

Harry Kane i është bashkuar korit të tifozëve të Tottenhamit në falënderimet për trajnerin tashmë të shkarkuar, Mauricio Pochettinon.

Mauricio Pochettino u shkarkua të martën në mbrëmje nga posti i trajnerit të Tottenhamit, pas fillimit të keq në sezonin 2019/20 të Premierligës, ndërsa sot u konfirmua nga klubi se Jose Mourinho do ta zëvendësojë argjentinasin.

Ky lajm i ka prekur shumë tifozë të Tottenhamit, ndërsa së fundi në rrjetet e tyre sociale postuan edhe dy yjet e Tottenhamit, Harry Kane dhe Dele Alli.

“Trajner, do të jem përgjithnjë falënderues që më ndihmove t’i bëj ëndrrat realitet. Ne i kemi kaluar disa momente të mrekullueshme gjatë pesë vjetëve e gjysmë të fundit, që unë s’do t’i harroj kurrë”, shkroi Kane.

“Ti ishte trajneri im, por edhe shoku im dhe unë të falënderoj për këtë marrëdhënie. Fat të mbarë në kapitullin tënd të radhës”.

Edhe Dele Alli e publikoi një mesazh të ngjashëm për Pochettinon, duke shkruar: “S’mund ta falënderoj këtë person aq sa duhet. Ai më ka mësuar shumë dhe jam mirënjohës për çdo gjë që ka bërë për mua. Fat të mbarë dhe shpresoj të shihemi sërish, miku im”.

Nën udhëheqjen e Pochettinos gjatë kësaj periudhe, Tottenhami përfundoi në top katërshe të Premierligës katër herë, si dhe arriti në finale të Ligës së Kampionëve në sezonin 2018/19. Tani, në pozitën e Pochettinos është emëruar Jose Mourinho, i cili në dhjetor të vitit të kaluar u shkarkua nga Manchester Unitedi.

Derisa Tottenhami pati një sezon të suksesshëm në Evropë edicionin e kaluar, forma e tij në ligë ka qenë tejet e dobët shumicën e vitit 2019. Që prej fitores 3:1 kundër Leicester City më 10 shkurt, Tottenhami i ka fituar vetëm gjashtë nga 24 ndeshjet e fundit në Premierligë.

Momentalisht, Tottenhami renditet në pozitën e 14-të në Premierligë. 

(Kosova Sot Online)