Mesfushori i Milanit: Nuk mund t’i them jo Bayernit

  • 20 November 2019 - 13:30
Mesfushori i Milanit: Nuk mund t’i them jo Bayernit

Mesfushori i Milanit, Hakan Calhanoglu, paralajmëroi se nëse gjigant i Bundesligës Bayern Munichu do ta kërkonte në të ardhmen transferimin e tij nga kuqezinjtë, ai s’do të thoshte jo.

Përfaqësuesi turk ishte duke e dhënë një intervistë për të përditshmen gjermane Sport Bild për të ardhmen e tij dhe e pranoi se atij do t’i pëlqente të kthehet në Bundesligë dikur në karrierën e tij.

“Unë u rrita në Gjermani, por më pëlqen t’iu flas njerëzve në gjuhën italiane. Sa i përket aspektit sportiv, natyrisht që për mua është qëllim të luaj për Bayern Munichun ose për Borussia Dortmundin ose ndonjë tjetër skuadër të madhe gjermane”, ka thënë Calhanoglu.

Skuadra bavareze raportohej se kishte qenë afër transferimit të Calhanoglut në vitin 2014, mirëpo ai kishte vendosur të qëndronte në Bayer Leverkusen, ku ndiente se mund të ketë më shumë minuta lojë.

“Ishte e rëndësishme që ata [Bayerni] më monitoruan. Por, në atë kohë, ata e kishin Arjen Robbenin dhe Franck Riberyn në skuadër dhe ata e kishin të garantuar vendin si titullarë, pasi që adhuroheshin edhe nga tifozët”, shtoi Calhanoglu.

“E pata të vështirë t’u them jo atyre në atë kohë. Por, nëse në ndonjë pikë në të ardhmen Bayerni më kërkon sërish, unë nuk do të thosha jo më”.

Calhanoglu u transferua në Milan verën e vitit 2017 për 24 milionë euro. Ai i ka bërë 103 paraqitje në të gjitha garat për klubin kuqezi, në të cilat ka kontribuar me 14 gola dhe 25 asiste. 

(Kosova Sot Online)