Ish-sulmuesi i Man Unitedit tregon se çfarë e bënte unik Fergusonin

  • 20 November 2019 - 14:41
Ish-sulmuesi i Man Unitedit tregon se çfarë e bënte unik Fergusonin

Ish-sulmuesi i Manchester Unitedit, Giuseppe Rossi, thotë se marrëdhënia e afërt që Sir Alex Fergusoni e mbante me futbollistët e tij e bënte atë unik si trajner.

Sulmuesi italian 32-vjeçar i kishte kaluar tre sezone në Old Trafford, mirëpo kishte shënuar vetëm një herë në ndeshjet e Premierligës, ku ishte paraqitur në vetëm pesë ndeshje gjatë tre sezoneve.

Tani si lojtar i lirë, Rossi është duke u stërvitur me ish-klubin e tij, Villarrealin, përderisa po tenton ta rindërtojë karrierën e vet pas një numri të madh lëndimesh. Gjatë karrierës, koha e tij në Manchester United është diçka që e kujton me shumë dashuri.

“Është shumë e vështirë ta krahasosh Sir Alex Fergusonin me dikë tjetër”, tha Rossi, në një intervistë të dhënë për faqen zyrtare të La Ligës.

“Ai ishte shumë unik në mënyrën se si ishte i aftë t’i mbronte lojtarët e tij jashtë fushës së lojës. Ai të trajtonte sikur të ishe fëmija e tij. Ai është një person të cili i intereson me të vërtetë për lojtarët e tij”.

“Në fushën e lojës, ai sigurohej se zëri i tij po dëgjohej kur nuk i pëlqente se çfarë po shihte nga skuadra. Ishte një kënaqësi për mua dhe besoj se ishte kënaqësi për të gjithë lojtarët që e kishim atë në anën tonë”.

Rossi ka qenë pa klub që kur u largua nga Genoa në verën e vitit 2018, ndërsa tani ai po shpreson se do të arrijë ta rifillojë me këmbë të mbarë karrierën e tij, e cila deri tani është dëmtuar shumë nga lëndimet e shpeshta. 

(Kosova Sot Online)