De Bruyne e kritikon UEFA-n për formatin e EURO 2020: Duket garë e rreme

  • 20 November 2019 - 16:09
De Bruyne e kritikon UEFA-n për formatin e EURO 2020: Duket garë e rreme

Mesfushori i Belgjikës, Kevin de Bruyne, e cilësoi Euro 2020 turne të rreme dhe pretendoi se formati i shortit për këtë garë është shenjë se futbolli po i ngjason gjithnjë e më shumë një biznesi sesa një sporti.

Skuadra e Roberto Martinezit i fitoi të gjitha dhjetë ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020 në Grupin I dhe u kualifikua automatikisht për garën që do të zhvillohet verën e ardhshme në 12 qytete të ndryshme nëpër Evropë.

Shorti për fazën e grupeve do të mbahet më 30 nëntor, por, për shkak të radhitjeve nëpër vazo dhe rregullave lidhur me vendet nikoqire në këtë turne, tashmë Belgjika e di se do të jetë në Grupin B me Rusinë dhe Danimarkën.

Kjo bën që Belgjika të mund t’i fillojë përgatitjet për këtë turne qysh tani, mirëpo ylli i Manchester City Kevin de Bruyne është i pakënaqur me këtë format të Evropianit.

“Është për të të ardhur keq. Për mua, kjo duket si garë e rreme. Futbolli është duke u bërë gjithnjë e më shumë si biznes”, tha De Bruyne për VTM Nieuws, pasi shënoi dy herë në fitoren me rezultat 6:1 kundër Qipros, të martën.

De Bruyne luajti në gjashtë ndeshjet kualifikuese të Belgjikës për Kampionatin Evropian 2020, duke i shënuar katër gola dhe duke i asistuar edhe gjashtë të tjera.

Belgjika do të shpresojë se do të arrijë të shkojë më larg në EURO 2020 sesa që arriti në Kupën e Botës 2018 në Rusi, kur u mposhtën me rezultat 1:0 në gjysmëfinale nga Franca, që tani e mban epitetin e kampiones së botës.

Shumë tifozë të Belgjikës e shohin këtë Kampionat Evropian si rastin më të mirë për “gjeneratën e artë” të Belgjikës për të fituar trofe, pasi që lojtarët si De Bruyne, Eden Hazard dhe Romelu Lukaku janë në kulmin e karrierës. 


(Kosova Sot Online)