“Shpërthen” Granit Xhaka: Nuk mund ta pranoj më atë që më ndodhi!

  • 21 November 2019 - 15:04
“Shpërthen” Granit Xhaka: Nuk mund ta pranoj më atë që më ndodhi!

Granit Xhaka thotë se nuk mund ta pranojë atë që ndodhi me të në javët e fundit. Mesfushori kosovar u la jashtë ekipit në ndeshjet e fundit pas përplasjes që e pati me tifozët e klubit dhe iu hoq edhe shiriti i kapitenit. Nuk përjashtohet mundësia që përfaqësuesi zviceran të largohet nga “Topçinjtë” gjatë janarit.

Granit Xhaka kërkon të bisedojë me drejtuesit e klubit dhe trajnerin e Arsenalit për ta gjetur një zgjidhje për të ardhmen.

Ka kaluar një muaj që kur futbollisti kosovar e kishte një përplasje me tifozët e klubit, të cilët i kishte fyer pasi ata e vërshëllyen teksa po dilte nga fusha në ndeshje me Crystal Palacen.

Nga ajo kohë, 27 vjeçari nuk është ftuar më në ekip nga trajneri Unai Emery.

Ky i fundit gjithashtu ia hoqi përfaqësuesit zviceran edhe shiritin e kapitenit.

Dhe, pasi kishte kërkuar falje për reagimin e tij të ngutshëm dhe të pamatur ndaj tifozëve, tash Xhaka ka folur për situatën e vështirë nëpër të cilën po kalon.

Ai e konsideron këtë situatë të papranueshme dhe kërkon të gjendet një zgjidhje.

Nuk përjashtohet mundësia që ish-futbollisti i Baselit dhe Borussia Monchengladbachut të largohet nga “Emirates Stadium” gjatë afatit kalimtar të janarit.

“Unë e kam idenë e qartë se si duhet të shkojnë gjërat në vazhdim dhe Arsenali e di këtë po ashtu”, ka thënë Xhaka për “SRF”.

“Unë kam ende kontratë me Arsenalin dhe do të isha i nderuar nëse kthehem për të luajtur. Me këtë rast do t’i hiqnim më në fund qafe të gjitha pakënaqësitë dhe mosmarrëveshjet”, ka shtuar ai.

“Natyrisht, mund të gjendet një zgjidhje pasi nuk mund ta pranoj atë që ka ndodhur me mua”, përfundoi Xhaka.

Ai e kishte postuar gjatë fundjavës një fotografi në Instagram, pas fitores dhe kualifikimit së Zvicrës në Euro 2020.

“Lumturia është kur je i kënaqur me veten dhe kur nuk ke nevojë për konfirmimin e kësaj nga të tjerët”, kishte shkruar Xhaka, duke konfirmuar se është i lumtur. 

(Kosova Sot Online)