Kosova e mban një primat në kualifikimet e Euro 2020

  • 21 November 2019 - 15:45
Kosova e mban një primat në kualifikimet e Euro 2020

Kosova nuk arriti të kualifikohej në Euro 2020, por “Dardanët” mund të mburren së paku me një primat që e kishin gjatë fazës eliminatore. Verdhekaltrit e kishin në përgjithësi ekipin më të ri në kualifikimet e Evropianit

Përfaqësuesja e Kosovës e bëri një kampanjë të shkëlqyeshme në kualifikimet e Euro 2020 edhe pse nuk arriti të kualifikohej përmes rrugës tradicionale.

Mirëpo, “Dardanët” së paku mund të mburren me faktin se në kualifikimet e para dhe historike të Kampionatit Evropian e kishin një primat.

Në fakt, Verdhekaltrit ishin ekipi më i ri i këtyre kualifikimeve duke prirë për nga mosha më e re në 4 nga Top 10 ekipet startuese më të reja në fazën eliminatore.

Në ndeshjen me Bullgarinë, mosha mesatare e ekipit të Bernard Challandes ishte 23.7 vjeçare.

Pastaj, në duel me Malin e Zi, mosha e lojtarëve startues të ekipit të Kosovës ishte 23.9 vjeçare, shkruan sajti i specializuar i futbollit, për vlerën e lojtarëve, klubeve dhe për statistika të ndryshme, “Transfermarkt”.

Në duel me Republikën Çeke në stadiumin “Fadil Vokrri”, mesatarja e moshës së “Dardanëve” që luajtën nga minuta e parë ishte 24.0 vjeçare.

Kurse, në duel me Anglinë në ndeshjen e zhvilluar në Southampton, mosha mesatare e futbollistëve kosovarë ishte 24.1 vjeçare.

Në mesin e Top 10 ekipeve më të reja të Evropianit futet edhe Anglia, me tri ndeshje, ndërsa aty gjendet edhe Luksemburgu me dy dhe Turqia me një.

Mosha e re e futbollistëve jep shpresë që Kosova të jetë e suksesshme në vitet e ardhshme.

Sidoqoftë, “Dardanët” mbeten ende në garë për t’u kualifikuar në Euro 2020 përmes Ligës së Kombeve. 

(Kosova Sot Online)