Emery tregon kur do të luajë Xhaka përsëri për Arsenalin

  • 21 November 2019 - 16:06
Emery tregon kur do të luajë Xhaka përsëri për Arsenalin

Trajneri i Arsenalit, Unai Emery, ka thënë se ka mundësi që Granit Xhaka të rikthehet në skuadrën e tij për ndeshjen e së shtunës kundër Southamptonit, për herë të parë që prej se iu mor shiriti i kapitenit pas zënkës me tifozët.

Mesfushori shqiptar i Kombëtares së Zvicrës, Xhaka nuk ka luajtur për Arsenalin që prej zënkës me tifozët e vet në barazimin 2:2 me Crystal Palace më 14 tetor.

Ajo përleshje me tifozë i kushtoi me humbjen e shiritit të kapitenit mesfushorit shqiptar.

Trajneri Emery vendosi ta shkarkojë Xhakën nga detyra e kapitenit të ekipit dhe ta zëvendësojë atë me sulmuesin Pierre-Emerick Aubameyang.

Spanjolli pati sugjeruar madje se Xhaka mund ta ketë humbur mundësinë për të luajtur për Arsenalin në të ardhmen.

Megjithatë, sot Emery tha se Xhaka mund të luajë këtë të shtune.

“Ai po rikthehet më i mirë. Mendjen e ka më të qetë dhe këtë mëngjes pata një bisedë të mirë me të. Synimi im është që ai të kthehet dhe të na ndihmojë dhe t’i bindë të gjithë se do të jetë më i mirë për ne”, tha Emery.

“Ai po ndihet mirë dhe ekipi i tij është Arsenali. Ai dëshiron të kthehet me vetëbesimin e përkrahësve. Do të vendosim nesër nëse luan apo jo”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online)