Lojtarët më të rinj që luajtën për Kosovën në kualifikimet për EURO

  • 22 November 2019 - 09:21
Lojtarët më të rinj që luajtën për Kosovën në kualifikimet për EURO

Edon Zhegrova, Arijanet Muriç, Florent Muslija dhe Ibrahim Dresevic ishin katër lojtarët më të ri që luajtën për Kosovës gjatë kampanjës kualifikuese për EURO 2020, duke ndikuar që Kosova ta ketë primatin për skuadrën më të re në këtë kampanjë.

Përfaqësuesja e Kosovës e bëri një kampanjë të shkëlqyeshme në kualifikimet e Euro 2020 edhe pse nuk arriti të kualifikohej përmes rrugës tradicionale.

Mirëpo, “Dardanët” së paku mund të mburren me faktin se në kualifikimet e para dhe historike të Kampionatit Evropian e mbajtën një primat. Verdhekaltrit ishin ekipi më i ri i këtyre kualifikimeve duke prirë për nga mosha më e re në 4 ndeshje nga Top 10 ekipet startuese më të reja në fazën eliminatore.

Lojtarët që ndikuan më së shumti në këtë moshë mesatare të re të Kosovës ishin:

Edon Zhegrova – 20 vjeçar/ Basel

Arijanet Muric – 21 vjeçar/ Man City, i huazuar në Nottingham Forest

Florent Muslija – 21 vjeçar/ Hannover

Ibrahim Dreshevic – 22 vjeçar/ Heerenveen.

Në ndeshjen me Bullgarinë, mosha mesatare e ekipit të Bernard Challandes ishte 23.7 vjeçare.

Pastaj, në duel me Malin e Zi, mosha e lojtarëve startues të ekipit të Kosovës ishte 23.9 vjeçare, shkruan sajti i specializuar i futbollit, për vlerën e lojtarëve, klubeve dhe për statistika të ndryshme, “Transfermarkt”.

Në duel me Republikën Çeke në stadiumin “Fadil Vokrri”, mesatarja e moshës së “Dardanëve” që luajtën nga minuta e parë ishte 24.0 vjeçare.

Kurse, në duel me Anglinë në ndeshjen e zhvilluar në Southampton, mosha mesatare e futbollistëve kosovarë ishte 24.1 vjeçare.

Në mesin e Top 10 ekipeve më të reja të Evropianit futet edhe Anglia, me tri ndeshje, ndërsa aty gjendet edhe Luksemburgu me dy dhe Turqia me një.

Mosha e re e futbollistëve jep shpresë që Kosova të jetë e suksesshme në vitet e ardhshme.

Sidoqoftë, “Dardanët” mbeten ende në garë për t’u kualifikuar në Euro 2020 përmes Ligës së Kombeve.

(Kosova Sot Online)