Bremeni ia beson penalltitë Rashicës

  • 22 November 2019 - 10:00
Bremeni ia beson penalltitë Rashicës

Mediumi gjerman Weserreport raporton se trajneri Florian Kohfeldt i Werder Bremenit do ta emërojë me shumë gjasa Milot Rashicën si lojtarin e ri që do t’i gjuajë penalltitë në skuadër, pasi Davy Klaassen nuk është treguar i suksesshëm.

Ylli kosovar Milot Rashica i ka shënuar katër gola dhe i ka bërë tri asiste në shtatë ndeshjet e zhvilluara në këtë sezon të Bundesligës, ku ka munguar në disa ndeshje shkaku i një lëndimi.

Rashica ka shfaqur formë mbresëlënëse edhe në Kupën e Gjermanisë, ku në dy ndeshjet që ka luajtur i ka shënuar dy gola.

Megjithatë, asnjëra prej këtyre golave, dhe asnjëra në karrierë sipas Transfermarkt, nuk është shënuar nga pika e penalltisë. Mirëpo, kjo gjë mund të ndryshojë tani.

Wessereport raporton se kosovari mund ta fitojë këtë përgjegjësi nga trajneri Florian Kohfeldt, i cili e ka humbur besimin te Davy Klaassen, i cili nuk është treguar i suksesshëm në tentimet e tij. Për këtë gjë foli edhe vetë Klaasen.

“Trajneri më pyeti se si ndihesha për këtë. Ne nuk kemi vendosur ende asgjë. Ndoshta dikush tjetër do ta gjuajë penalltinë herën tjetër. Për fat të mirë, ne kemi shumë lojtarë që mund ta bëjnë këtë”, ka thënë Klaassen.

Kjo gjë mund të bëhet e qartë qysh të shtunën, kur Werder Bremeni e pret në shtëpi Schalke 04, për ndeshjen që do të zhvillohet në kuadër të Bundesligës dhe do të fillojë në orën 15:30.

(Kosova Sot Online)