Kosova luan si mysafire në finalen e madhe për kualifikim në EURO 2020, nëse e arrin atë

  • 22 November 2019 - 12:36
Kosova luan si mysafire në finalen e madhe për kualifikim në EURO 2020, nëse e arrin atë

Kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë finalen e play-offs kualifikues për EURO 2020, ku mund të luajë nëse e fiton gjysmëfinalen kundër Maqedonisë, si mysafire – në Gjeorgji ose Bjellorusi.

Kosova e Bernard Challandes e humbi shansin e parë për ta siguruar kualifikimin në Kampionatin Evropian 2020, pasi nuk arriti të zërë vendin e parë apo të dytë në Grupin A, duke mbetur e treta, pas Anglisë dhe Çekisë.

Megjithatë, Verdhekaltrit e kanë edhe një mundësi të dytë për ta zënë një vend në EURO 2020 – përmes fazës së play-offs kualifikues për Evropian, ku e zuri një vend pasi e fitoi Grupin D3 të Ligës së Kombeve.

Rivale të Kosovës në këtë play-off janë tri Kombëtaret e tjera që i fituan grupet e tyre përkatëse në Ligën D të Ligës së Kombeve – Maqedonia, Gjeorgjia dhe Bjellorusia.

Pasi që Maqedonia shfaqi formë më të mirë në grupin e vet, Kosova do të luajë si mysafire në gjysmëfinalen e play-offs. Nëse arrin ta mposhtë Maqedoninë, atëherë do të përballet në finalen e madhe me Gjeorgjinë ose Bjellorusinë për ta zënë një vend në EURO.

Këtë përballje historike Kosova do ta zhvillojë si mysafire , që gjë u vendos nga shorti që u mbajt sot në orën 12:00. Kjo bën që Kosova të mos e ketë epërsinë e të qenët vendas në asnjërën ndeshje të play-offs kualifikues për EURO.

Përderisa shorti për play-offs u mbajt sot, shorti për fazën e grupeve të EURO 2020 do të mbahet më 30 dhjetor. Tashmë dihen 20 nga 24 Kombëtaret që janë kualifikuar në EURO, ndërsa katër të tjera do ta zënë vendin përmes play-offs dhe në mesin e tyre shpreson të jetë edhe Kosova.

Kosova do ta zhvillojë gjysmëfinalen me Maqedoninë më 26 mars të vitit 2020, ndërsa finalja do të mbahet më 31 mars. Nëse e arrin kualifikimin, Kosova do të luajë në Kampionatin Evropian për herë të parë në histori.

Ky Evropian do të zhvillohet në 12 qytete të ndryshme rreth e përqark Evropës nga 12 qershori deri më 12 korrik të vitit 2020. 

(Kosova Sot Online)