Klopp me një deklaratë interesante për Xherdan Shaqirin

  • 22 nëntor 2019 - 18:12
Klopp me një deklaratë interesante për Xherdan Shaqirin

Pavarësisht mungesës së tij në fushë, Jurgen Klopp insiston se Xherdan Shaqiri ka një të ardhme në “Anfield”.

Reprezentuesi i Zvicrës përfundimisht është kthyer nga lëndimi pas gjashtë javëve mes spekulimeve të shumta se dëshiron të largohet si pasojë e mungesës së tij në fushë.

Anësori ka luajtur vetëm 16 minuta në Premierë Ligë gjatë gjithë sezonit dhe tre minuta në humbjen e pësuar në Ligë të Kampionëve ndaj Napolit. 

Kjo padyshim se ka bërë që të rriten spekulimet se, ai është duke menduar për të ardhmen e tij, por Klopp ka bërë të qartë se Shaqiri ende ka një rol të madh për të luajtur te “Redsat” që janë në garë për titull këtë sezon.

“Ne kemi folur në fillim të sezonit, ai nuk ka qenë duke luajtur aq sa ka dashur”, ka shpjeguar trajneri.

“Por, pse duhet të flas për diçka që ndodh jashtë? Spekulimet janë spekulime. Gjithçka është mirë këtu. Sigurisht, ai ka të ardhme sepse është një lojtar shumë, shumë i rëndësishëm për ne”, ka shtuar Klopp.

Crystal Palace është rivali i ardhshëm i Liverpoolit dhe ndeshja mes dy skuadrave luhet të shtunën.

(Kosova Sot Online)