Pioli grumbullon edhe djalin e Maldinit

  • 22 November 2019 - 22:46
Pioli grumbullon edhe djalin e Maldinit

Gjatë miqësoreve të verës, te Milani kishte tërhequr vëmendjen edhe Daniele Maldini, djali i legjendës kuqezi Paolo Maldini, i cili kishte luajtur titullar në disa takime, por më vonë nuk u grumbullua më me kuqezinjtë, duke vijuar paraqitjet me skuadrën e të rinjve.

Megjithatë duke parë mungesat e Borinit, Castillejos dhe Calhanoglu, trajneri Stefano Pioli ka vendosur të grumbullojë 18-vjeçarin për ndeshjen me Napolin, ku natyrisht që do ta nisë nga stoli, por mund të ketë disa minuta në dispozicion. 

Bashkë me Maldinin JR., nga ekipi i të rinjve është grumbulluar edhe Brescianini, ndërsa janë rikthyer në dispozicion të trajnerit Pioli edhe mesfushori Franck Kessie e mbrojtësi Matteo Musacchio.

Ndërkohë do të mungojnë në këtë takim mbrojtësi zviceran Ricardo Rodriguez dhe ai brazilian Leo Duarte, që kanë ndjerë shqetësime të ndryshme dhe janë lënë pushim nga tekniku kuqezi, për sfidën delikate ndaj Napolit.

(Kosova Sot Online)