Po kalon nëpër formë të jashtëzakonshme me të rinjtë, Bayerni e merr në ekipin e parë Leon Dajakun

  • 23 November 2019 - 08:29
Po kalon nëpër formë të jashtëzakonshme me të rinjtë, Bayerni e merr në ekipin e parë Leon Dajakun

Leon Dajaku është talenti i radhës nga Kosova që ka filluar të lë gjurmë në futbollin gjerman.

Mesfushori ofensivë këtë verë iu bashkua gjigantit gjerman Bayern Munich që vendosi të paguajë 1,5 milionë euro te Stuttgarti për të. Dajaku deri më tani ka luajtur për ekipin e dytë të bavarezëve, Bayern Munich II në Bundesliga 3 ku ka pasur paraqitje shumë të mira. Në 15 takime me Bayern II, Dajaku ka shënuar tre gola dhe ka asistuar në katër të tjerë, duke lënë të kënaqur drejtuesit e gjigantit gjerman.

E trajneri i ri i Bayernit, Hansi Flick ka vendosur ta shpërblejë për paraqitjet e mira kosovarin, duke e ftuar në ekipin e parë.Leon Dajaku, Sarpreet Singh, Olivier Meier dhe Joshua Zirkzee janë katër talentet që i janë bashkuar skuadrës së parë.

Flick ka marrë këta katër futbollistë në stërvitje me ekipin e parë deri në fund të këtij viti dhe pritet që edhe të ju jap hapësira.

“Ne besojmë në këta lojtarë dhe nëse duam që ata të evoluojnë, atëherë ata duhet të ushtrojnë me lojtarët më të mirë”, deklaroi Flick për mediat gjermane. Ndeshjen e radhës Bayerni e zhvillon ndaj Fortuna Dusseldorf në udhëtim, ndërsa Dajaku shpreson që të bëjë debutimin me ekipin e parë të kampionëve aktual të Gjermanisë. 

(Kosova Sot Online )