Tuchel: Neymari luajti keq, por s’prisja më shumë nga ai

  • 23 November 2019 - 09:02
Tuchel: Neymari luajti keq, por s’prisja më shumë nga ai

Neymari nuk ishte mbresëlënës në paraqitjen e tij të fundit për Paris Saint-Germainin, mirëpo trajneri Thomas Tuchel u shpreh i lumtur që ylli brazilian i është kthyer në skuadër, pas lëndimeve.

Braziliani Neymar ka qenë jashtë fushës së lojës për rreth një muaj, për shkak të një lëndimi që e kishte pësuar gjatë kohës sa ishte me Kombëtaren e Brazilit. Të premten, ai ishte titullar për PSG-në në shtëpi kundër Lille, në kuadër të Ligue 1.

Neymari pati gisht në golin e dytë të Paris Saint-Germain në fitoren me rezultat 2:0, që i ngriti kampionët në fuqi të Francës me 11 pikë epërsi në kreun e tabelës së Ligue 1.

Megjithatë, në 65 minutat lojë, ai nuk arriti ta regjistrojë asnjë goditje drejt portës apo pasim kyç dhe ishte vetëm 63.9 për qind i saktë në pasime e tij. Por, Tuchel nuk priste paraqitje më të mirë nga ai shkaku që sapo është  kthyer nga lëndimi.

“Jo, unë s’jam i shqetësuar nga paraqitja e tij e keqe. Nuk e di nëse është normale. Nuk prisja shumë nga ai sepse ka munguar në gjashtë javët e fundit. Është e tepërt për dikë si ai, që ka nevojë për shpejtësi në gjithçka që bën”, ka thënë Tuchel.

“Atij i mungoi preciziteti sot dhe i bënte gjërat në momentin e gabuar. Por, kështu shkojnë gjërat nganjëherë. Atij iu nevojit vetëm të luajë pak minuta”.

Neymari u zëvendësua nga Kylian Mbappe pas pak më shumë se një ore lojë dhe shkoi drejt e në zhveshtore, duke mos u ulur në stol me pjesën tjetër të skuadrës për ta ndjekur ndeshjen nga tribunat.

“Është normale. Shumë lojtarë shkojnë direkt në zhveshtore. Nuk e mora vesh këtë sepse isha i përqendruar në ndeshje. Ne duhet të flasim për këtë gjë brenda klubit. Por, s’do të flasim shumë për të”. 

(Kosova Sot Online )