Munishi, për Genc Nuzën që e ndëshkoi me karton të kuq: Kënaqësi që të shoh duke referuar

  • 23 November 2019 - 10:05
Munishi, për Genc Nuzën që e ndëshkoi me karton të kuq: Kënaqësi që të shoh duke referuar

Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, e ka lavdëruar gjyqtarin Genc Nuza, i cili e ndëshkoi dje me karton të kuq, duke e quajtur atë gjyqtarin më të mirë në Kosovë dhe duke thënë se është kënaqësi ta shohësh atë duke referuar.

Ballkani e siguroi një fitore të madhe në ndeshjen e djeshme kundër Gjilanit, e cila përfundoi me rezultat 2:1 në stadiumin e qytetit në Suharekë, në kuadër të xhiros së 16-të të këtij sezoni të Ipko Superligës së Kosovës.

Në minutën e 85-të të ndeshjes, trajneri i Ballkanit Ismet Munishi u ndëshkua me karton të kuq, për shkak të protestimeve të cilat sipas gjyqtarit Genc Nuza ishin të tepërta.

Përderisa po dilte nga fusha, Munishi i duartrokiti tifozët e Ballkanit dhe pastaj u ul në fushë dhe filloi t’i lidhë tojat e këpucëve të tij, veprim ky që u prit me duartrokitje nga tifozët vendas.

Pasi u ngrit në këmbë, ai e dërgoi edhe një puthje me dorë në drejtim të lojtarëve, trajnerëve e gjyqtarëve dhe pastaj shkoi drejt tunelit.

Mirëpo, pas ndeshjes, Munishi e përdori llogarinë e tij në rrjetin social Facebook për ta lavdëruar Nuzën, për të cilin tha se është gjyqtari më i mirë në Kosovë.

“Referi më i mirë në Kosovë, Genc Nuza. Nëse ai e ka parë të arsyeshme, atëherë plotësisht e kam merituar të largohem. Është kënaqësi e veçantë ta shoh atë duke referuar”, ka shkruar Munishi në llogarinë e tij në Facebook, mbi një foto të Nuzës dhe kryetarit të Komisionit të Gjyqtarëve në FFK, Përparim Hasanit.

Tri pikët e asaj ndeshjeje patën vlerë të madhe, pasi që Ballkani tani e ka marrë kreun e Superligës me 34 pikë të fituara nga 16 ndeshjet e para – dhjetë fitore, katër barazime dhe dy humbje.

Në anën tjetër, Gjilani ka rënë në pozitën e dytë në tabelën e Ipko Superligës, me 31 pikë të grumbulluara nga 16 xhirot e deritanishme – dhjetë fitore, një barazim dhe pesë humbje. Këtë pozitë Gjilanit mund t’i rrëmbejë Drita këtë fundjavë, nëse e fiton ndeshjen e saj.

(Kosova Sot Online)