Trajneri i Maqedonisë paralajmëron Challandesin: S’patëm fat në short, por do të kemi në ndeshje

  • 23 November 2019 - 15:37
Trajneri i Maqedonisë paralajmëron Challandesin: S’patëm fat në short, por do të kemi në ndeshje

Trajneri i Kombëtares së Maqedonisë, Igor Angelovski, ka thënë se Maqedonia do të jetë plotësisht e përqendruar te përballja me Kosovën në gjysmëfinale të play-offs e jo te finalja, duke theksuar se mungesa e fatit në short do t’u kompensohet me fat në ndeshje.

Kosova e Bernard Challandes e humbi shansin e parë për ta siguruar kualifikimin në Kampionatin Evropian 2020, pasi nuk arriti të zërë vendin e parë apo të dytë në Grupin A, duke mbetur e treta, pas Anglisë dhe Çekisë.

Megjithatë, Verdhekaltrit e kanë edhe një mundësi të dytë për ta zënë një vend në EURO 2020 – përmes fazës së play-offs kualifikues për Evropian, ku e zuri një vend pasi e fitoi Grupin D3 të Ligës së Kombeve.

Rivale të Kosovës në këtë play-off janë tri Kombëtaret e tjera që i fituan grupet e tyre përkatëse në Ligën D të Ligës së Kombeve – Maqedonia, Gjeorgjia dhe Bjellorusia.

Pasi që Maqedonia shfaqi formë më të mirë në grupin e vet, Kosova do të luajë si mysafire në gjysmëfinalen e play-offs. Nëse arrin ta mposhtë Maqedoninë, atëherë do të përballet në finalen e madhe me Gjeorgjinë ose Bjellorusinë për ta zënë një vend në EURO.

Këtë përballje historike Kosova do ta zhvillojë si mysafire , që gjë u vendos nga shorti që u mbajt dje në orën 12:00. Kjo bën që Kosova të mos e ketë epërsinë e të qenët vendas në asnjërën ndeshje të play-offs kualifikues për EURO.

 “Shorti nuk ishte në anën tonë, finalja do të zhvillohet në Gjeorgji ose Bjellorusi. Por, para se të shkojmë atje, ne duhet të mendojmë për ndeshjen tonë të parë”, ka thënë Angelovski.

“Gjëja më e rëndëishme për ne është që të jemi maksimalisht të përgatitur për përballjen me Kosovën. Dhe, sa i përket finales, ka më pak rëndësi ku zhvillohet ndeshja sepse të dyja skuadrat do të jenë shumë të motivuara”.

“Pasi nuk patëm fat në short, pres të jemi me më shumë fat në ndeshje”. 

(Kosova Sot Online)