Ndahen në paqe Milani dhe Napoli

  • 23 November 2019 - 20:18
Ndahen në paqe Milani dhe Napoli

Milan dhe Napoli kanë ndarë pikët në ‘San Siro’, duke barazuar 1-1

Tri ndeshje pa fitore me radhë (2 humbje, 1 barazim) Milani me Stefano Piolin vazhdon të mos shohë dritë në fund të tunelit.

Në xhiron e 13-të në Serie A, Milan nuk ka mundur të marrë më shumë se një pikë në ‘San Siro’, duke barazuar 1-1 me Napolin.

Të parët në epërsi kaluan mysafirët.

Lozano shënoi për 0-1 në minutën e 24’ duke shfrytëzuar një top të kthyer nga shtylla, për ta mposhtur lehtësisht Gigi Donnarummën.

Pak minuta më vonë, Bonaventura shënoi një gol të bukur për të barazuar rezultatin në 1-1, në minutën e 29’.

Edhe pse skuadrat tentuan në pjesën e dytë, rezultati mbeti ai i pjesës së parë.

Kështu, Milani mbetet në pozitën e 13 me vetëm 14 pikë të grumbulluara, kurse Napoli edhe jashtë zonës Europa League, në pozitën e shtatë me 20 pikë.

(Kosova Sot Online)