Wilder: Ia dhashë Ortizit edhe një mundësi për ta ushqyer familjen

  • 24 November 2019 - 08:54
Wilder: Ia dhashë Ortizit edhe një mundësi për ta ushqyer familjen

Deontay Wilder e ka lartësuar Luis Ortizin, pas triumfit në meçin për titullin e botës në WBC, duke thënë se kubani është ndër boksierët më të mirë në botë dhe se ai e kishte merituar të drejtën për rimeç për, sic tha, të fituar para për ta ushqyer familjen.

Wilder e mbrojti titullin e botës në kategorinë e rëndë të boksit në divizionin WBC, për herë të 10-të në karrierë, pasi e rrahu Luiz Ortizin me nokaut të dielën në mëngjes në Las Vegas.

Boksieri amerikan rrezikoi ta humbasë titullin pas plot pesë vjetëve, sepse u dominua nga Ortiz për gjashtë runde të plota. 

“Mund ta shihni përse asnjë boksier tjetër në kategorinë e rëndë nuk dëshiron të luftojë kundër Ortiz. Ai është shumë i mençur në ring”, tha Wilder.

Megjithatë, 34-vjeçari i dha një goditje brutale me të djathtën e tij fuqishme Ortizit, duke e rrëzuar në dysheme në rundin e shtatë.

40-vjeçari nuk qe në gjendje të ngrihet në këmbë me kohë dhe Wilder triumfoi me nokaut.

“Disa thonë se unë nuk di të mbrohem, ama ky është specialiteti im. E kam inteligjencën e lartë në ring. M’u desh ta hidhja të djathtën disa herë dhe përfundimisht e mata mirë, e zura dhe e godita fort”, shtoi Wilder.

 “Ortiz është ndër boksierët më të mirë në botë, prandaj ia dhashë një mundësi të dytë, në mënyrën që të fitonte para për ta ushqyer familjen”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)