Bale pritet me fishkëllima të shumta nga tifozët e Real Madridit

  • 24 November 2019 - 09:12
Bale pritet me fishkëllima të shumta nga tifozët e Real Madridit

Emri i Gareth Bale u fishkëllye vazhdimisht para dhe pasi u fut në lojë si zëvendësues në fitoren e Real Madridit 3:1 kundër Real Sociedadit.

Sulmuesi uellsian hyri në lojë në fund të takimit, por nën tingullin e fishkëllimave të tifozëve të vet, pas talljes që ia bëri klubit gjatë një ndeshjeje me Kombëtaren e vet në mesjavë.

Bale, megjithatë, e ruajti qetësinë dhe asistoi te goli i tretë i Real Madridit, i shënuar nga Luka Modric, duke i ndihmuar Los Blancos të fitojnë dhe të barazohen me pikë me Barcelonën në krye të La Ligës. 

Ai e festoi kualifikimin e Uellsit në Kampionatin Evropian të vitit 2020 me një flamur tallës ndaj Real Madridit.

30-vjeçari pozoi para një flamuri që thoshte: “Uellsi. Golfi. Real Madridi. Sipas kësaj renditjeje.”

Bale ishte në qendër të vëmendjes edhe para ndeshjeve të Kombëtareve, pasi vendosi të luajë për Uellsin, edhe pse për Real Madridin nuk e kishte luajtur asnjë ndeshje për shkak të një lëndimi.

Image

(Kosova Sot Online)