Zidane shpreson se Bale s’do të fishkëllehet nga tifozët e vet tërë sezonin

  • 24 November 2019 - 10:29
Zidane shpreson se Bale s’do të fishkëllehet nga tifozët e vet tërë sezonin

Zinedine Zidane ka thënë se shpreson se Gareth Bale do të mundë t’i ndreqë marrëdhëniet me tifozët e Real Madridit, në mënyrë që të mos fishkëllehet më.

Emri i Gareth Bale u fishkëllye vazhdimisht para dhe pasi u fut në lojë si zëvendësues në fitoren e Real Madridit 3:1 kundër Real Sociedadit.

Sulmuesi uellsian hyri në lojë në fund të takimit, por nën tingullin e fishkëllimave të tifozëve të vet, pas talljes që ia bëri klubit gjatë një ndeshjeje me Kombëtaren e vet në mesjavë. 

Bale, megjithatë, e ruajti qetësinë dhe asistoi te goli i tretë i Real Madridit, i shënuar nga Luka Modric, duke i ndihmuar Los Blancos të fitojnë dhe të barazohen me pikë me Barcelonën në krye të La Ligës.

“Shpresoj se (fishkëllimat) nuk do të vazhdojnë tërë sezonin”, tha Zidane pas ndeshjes.

“Ne duam që tifozët të jenë me ne nga fillimi deri në fund, por nuk mund ta kontrollojmë këtë. Tifozët kanë të drejtë të bëjnë çfarë të duan, edhe pse unë u kërkoj atyre ta duartrokasin secilin lojtar”, shtoi ai.

“Jam i lumtur me lojën dhe fitoren dhe Bale u inkuadrua mirë në lojë. Nuk mund të them nëse fishkëllimat ndaj Bale ishin të drejta apo jo”, përfundoi ai.

(Kosova Sot Online)