Arrestohet basketbollisti shqiptar që e grushtoi gjyqtarin

  • 24 November 2019 - 12:26
Arrestohet basketbollisti shqiptar që e grushtoi gjyqtarin

Një ngjarje e rëndë dhe mjaft e turpshme ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në basketbollin shqiptar, në ndeshjen mes Teutës dhe Tiranës, në pallatin e sportit “Ramazan Njala”, të qytetit të Durrësit.

Basketbollisti i Tiranës, Bruno Daliu, në një moment pakënaqësie me arbitrimin, ka shkuar pranë njërit prej gjyqtarëve, Jurgen Muhos, dhe ka humbur toruan, duke e qëlluar disa herë me grushte dhe rrëzuar në tokë. 

Është dashur ndërhyrja e menjëhershme e shokëve të skuadrës së Daliut, që të ndalej ky i fundit, që përveç arbitrit, goditi rëndë edhe imazhin e sportit të basketbollit në vendin tonë.

Ndërkohë sot paradite, Policia e Shtetit njoftoi se ka arrestuar në flagrancë basketbollistin Bruno Daliu, me akuzën për goditje për shkak të detyrës, ndërsa materialet i janë referuar prokurorisë.

(Kosova Sot Online)