Prishtina shumë e fortë për Pejën

  • 24 November 2019 - 21:19
Prishtina shumë e fortë për Pejën

Sigal Prishtina ka fituar derbin e vjetër të basketbollit ndaj Pejës me rezultat 104:60 (33:9, 25:25, 19:17, 27:9).

Pas një viti mungesë, derbi në kryeqytet mblodhi “Plisat” dhe “Shqiponjat” që krijuan një atmosferë të bukur të basketbollit.

Vendasit e filluan më mirë ndeshjen, duke e fituar çerekun e parë 33:9, kurse lojë shumë më e barabartë u zhvillua në periodën e dytë, që përfundoi 25:25, derisa skuadrat shkuan në pushim me rezultat 58:34. Çerekun e tretë e filloi më mirë Peja, sidoqoftë, bardhekaltrit shpejtë u kthyen në lojë duke e fituar edhe këtë pjesë 19:17, derisa rezultati në semafor pas 30 minutash tregonte shifrat 77:51 për prishtinasit. Edhe në periudhën e fundit nuk kishte ndryshime të mëdha, ku vendasit e fituan edhe këtë pjesë 27:9, duke fituar në fund 104:60.

Te Prishtina u dalluan Meriton Ismaili me 21 pikë, Mikaile Tmusiq dhe Divine Myles nga 18 sosh dhe Fahro Alihoxhiq me 13 pikë dhe 12 kërcime.

Te Peja më i miri ishte Henrik Sirko me 12 pikë dhe nëntë kërcime.

Sigal Prishtina ka shtatë fitore dhe tri humbje, kurse Peja katër fitore dhe gjashtë humbje.

(Kosova Sot Online)