UEFA tregon kur do të vendoset se ku do të luhet ndeshja Maqedoni – Kosovë

  • 25 November 2019 - 20:09
UEFA tregon kur do të vendoset se ku do të luhet ndeshja Maqedoni – Kosovë

Pas përfundimit të ciklit kualifikues për Euro 2020, u zyrtarizua ballafaqimi Maqedoni Veriore – Kosovë që i takon gjysmëfinales së playoffit në Ligën e Kombeve.

Ka disa ditë që opinioni shqiptar polemizon në lidhje me stadiumin ku do të zhvillohet kjo ndeshje.

Sipas mediumeve lokale në Maqedoni, Federata e Futbollit ka vendosur për stadiumin ‘Filipi II’ në Shkup.

Në lidhje me këtë temë, Indeksonline ka kontaktuar zyrën për media në UEFA, e cila ka treguar datën se kur do të merret vendimi. 

“Ne presim që stadiumet të konfirmohen pas 20 dhjetorit” thuhet në përgjigjën e tyre.

Sa i përket biletave që u takojnë tifozëve kosovarë, UEFA ka sugjeruar që të referohemi në rregulloren e Ligës së Kombeve, përkatësisht pikës 41.02 e cila thotë: “Federatat që organizojnë ndeshjen duhet të ndajnë minimumi 5% të biletave për tifozët e ekipit mysafir në një tribunë të sigurtë. Poashtu edhe 200 bileta të kategorisë së parë për persona të rëndësishëm”. Pra, sipas kësaj rregulloreje, nëse vendoset për stadiumin “Filipi II” në Shkup, rreth 2,000 bileta do të ndahen për tifozët e Kosovës.

(Kosova Sot Online)