Fury parashikon fundin e karrierës së Joshuas

  • 26 November 2019 - 09:35
Fury parashikon fundin e karrierës së Joshuas

Tyson Fury ka parashikuar se Anthony Joshua do të pensionohet nëse humb me nokaut në rimeçin kundër Andy Ruiz Jr, për të cilin beson se do t’i mbajë titujt e kampionit botëror në kategorinë e peshave të rënda në boks.

Kanë kaluar rreth pesë muaj që kur Andy Ruiz Jr e mposhti Anthony Joshuan për t’i bërë kampioni i parë botëror i kategorisë së peshave të rënda nga Meksika. Më 7 dhjetor ai e ka rastin ta dëshmojë se nuk i mori ata tituj vetëm se pati fat.

Nëse Ruiz e mbyll meçin sërish më herët shkaku i një nokauti, atëherë AJ do të pensionohet, sipas boksierit tjetër britanik Tyson Furyt.

“Nëse ai nokautohet dy herë radhazi, nuk mendoj se ai do të vazhdojë, që të jem i sinqertë. Çdo person e bën atë që do, por unë mendoj…”, u shpreh Fury.

“Ai nuk ka nevojë për paratë dhe dy humbje radhazi me nokaut janë shkatërruese për një karrierë”.

Në meçin e parë, Ruiz e rrëzoi kundërshtarin e tij katër herë në rundin e shtatë, përfshirë këtu rastin që e përfundoi ndeshjen, ndërsa edhe vetë ra në dysheme një herë. Fury beson se meçi do të shkojë sërish në atë mënyrë.

“Për aq sa më takon mua, sipas mendimin tim, ai e mposhti atë një herë dhe e nokautoi, kështu që e ka epërsinë mendore para këtij rimeçi”, shtoi Fury.

“Pa marrë parasysh se çfarë arsyetimi bënë ata, se çfarë probleme kishin në kamp, se çfarë ndodhi në zhveshtore, ata hynë në meç me një deficit të madh pasi që e kanë në mendje që herën e kaluar kanë humbur”.

“Unë besoj se 90 për qind e meçit ka të bëjë me mendjen. Kështu që kur veçse je mposhtur nga dikush dhe jo nga një goditje me fat… Joshua s’ishte duke e fituar atë meç, unë do t’ia kisha dhënë atij një rund nga të shtatit”.

(Kosova Sot Online )