Challandes flet për të ardhmen e tij: Kosova, Kombëtarja e Zvicrës apo pensionimi

  • 26 November 2019 - 11:09
Challandes flet për të ardhmen e tij: Kosova, Kombëtarja e Zvicrës apo pensionimi

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, e ka komentuar të ardhmen e tij, duke mos e përjashtuar mundësinë e pensionimit, por duke e komentuar edhe postin e tij në Kosovë dhe për Kombëtaren e Zvicrës.

Arritjet e Kombëtares së Kosovës gjatë kohës së fundit kanë bërë që trajneri Bernard Challandes të marrë gjithnjë e më shumë vëmendje. Ai ishte i ftuar në mëngjes për intervistë në mediumin zviceran RTS.

“Natyrisht që kjo do të më kishte interesuar, por tani mendoj se e kam kaluar atë moshë. Është e vërtetë se kur je trajner, ta drejtosh Kombëtaren e vendit është një nder i jashtëzakonshëm”, ka thënë Challandes.

“Për momentin jam trajner i Kosovës dhe dua të vazhdoj deri në fund të mandatit tim, me shpresën se do të kualifikohemi në EURO. Unë e di se në këtë biznes të duhet një energji e çmendur dhe nuk e di nëse mund të vazhdoj nëse ndiej se nuk i kam forcat e nevojshme”.

“Edhe nëse veproj sipas instinktit, është e vërtetë, unë mendoj edhe për pensionimin”.

Pasi Kosova s’e arriti kualifikimin direkt në Kampionatin Evropian përmes Grupit A, trajneri Bernard Challandes kishte thënë në një intervistë se ai do të vazhdojë me postin e tij nëse ka vullnet për këtë në Kosovë.

“Nuk jam aq i ri, por nuk e planifikoj shumë të ardhmen. Sigurisht mund të them se do të qëndrojë nëse populli dhe ekipi i Kosovës më dëshirojnë dhe nëse e kanë përshtypjen se mund t’ju sjell diçka, por kjo nuk varet prej meje. Këtë nuk e kam në kokë, unë jam i përqendruar te ndeshjet e marsit”, ishte shprehur Challandes. 

(Kosova Sot Online)