Plisat grumbullojnë ushqim dhe veshmbathje, do të nisen për në Shqipëri

  • 26 November 2019 - 11:15
Plisat grumbullojnë ushqim dhe veshmbathje, do të nisen për në Shqipëri

Grupi i tifozëve të Prishtinës, Plisat, kanë njoftuar përmes një postimi në llogarinë zyrtare në rrjetin social Facebook se janë duke grumbulluar ushqim dhe veshmbathje për të prekurit nga tërmetet në Shqipëri, përderisa në orën 15:00 do të nisen për atje.

Të paktën shtatë persona kanë humbur jetën dhe mbi 300 janë lënduar nga disa tërmete të fuqishme që kanë goditur Shqipërinë. Sipas Emergjencave Civile, një person humbi jetën pasi u hodh nga banesa nga paniku, ndërsa dy të tjerë janë nxjerrë nga rrënojat e një pallati në Thumanë. Po ashtu është nxjerrë një tjetër trup i pajetë nga rrënojat e një shtese të një pallati në Durrës.

“Ju bëjmë thirrje të gjithë Plisave dhe qytetarëve të Prishtinës që të bashkangjiten në aksionin tonë për t’i ndihmuar të prekurit nga tragjedia në Shqipëri”, shkruhet në njoftimin e Plisave, të cilët vazhdimisht shkojnë në stadiume në mbështetje të Kombëtares së Shqipërisë.

“Plisat po grumbullojnë ushqim dhe veshmbathje për familjet në nevojë dhe të njëjtat do të nisen sot në ora 15:00 për në Shqipëri. Ju ftojmë të gjithëve që të na bashkangjiteni duke sjellur ushqim, batanije e veshmbathje, aq sa keni mundësi. Pika e grumbullimit është në Fun Club Plisat, në sheshin Zahir Pajaziti”.

“Një ndihmë e vogël nga ti këtu, është tepër e madhe për një shqiptar atje. Jemi të njëjtë, jemi të bashkuar, jemi të goditur të gjithë, prandaj të veprojmë së bashku!”

Tërmeti i parë i fuqishëm i magnitudës 6.4 goditi Shqipërinë rreth orës 03:50 të ditës së martë dhe kishte epiqendrën në Detin Adriatik, 40 km larg kryeqytetit, Tiranës dhe 10 km në veri të Durrësit. Lëkundje të tjera më të lehta janë ndjerë pas tij. Një tjetër tërmet i fuqishëm është regjistruar në orën 7:10 me magnitudë 5.4.

Deri tani raportohet për disa pallate të shembura në qytetin e Durrësit dhe fshatin Thumanë dhe dhjetëra familje kanë mbetur nën rrënoja, ndërsa qytetarët dhe ekipet e shpëtimit po tentojnë të ndihmojnë banorët e bllokuar. 

(Kosova Sot Online)