Xhaka: Zoti i ndihmoftë popullit shqiptar

  • 26 November 2019 - 11:51
Xhaka: Zoti i ndihmoftë popullit shqiptar

Mesfushori i Arsenalit me prejardhje shqiptare, Granit Xhaka, ka reaguar ndaj tërmeteve që e goditën sot Shqipërinë, dukë uruar që Zoti t’i ndihmojë popullit shqiptar, përmes llogarisë së tij në Instagram.

Të paktën nëntë persona kanë humbur jetën dhe mbi 600 janë lënduar nga disa tërmete të fuqishme që kanë goditur Shqipërinë. Sipas Emergjencave Civile, një person humbi jetën pasi u hodh nga banesa nga paniku, ndërsa dy të tjerë janë nxjerrë nga rrënojat e një pallati në Thumanë. Po ashtu është nxjerrë një tjetër trup i pajetë nga rrënojat e një shtese të një pallati në Durrës.

Tërmeti i parë i fuqishëm i magnitudës 6.4 goditi Shqipërinë rreth orës 03:50 të ditës së martë dhe kishte epiqendrën në Detin Adriatik, 40 km larg kryeqytetit, Tiranës dhe 10 km në veri të Durrësit. Lëkundje të tjera më të lehta janë ndjerë pas tij. Një tjetër tërmet i fuqishëm është regjistruar në orën 7:10 me magnitudë 5.4.

Deri tani raportohet për disa pallate të shembura në qytetin e Durrësit dhe fshatin Thumanë dhe dhjetëra familje kanë mbetur nën rrënoja, ndërsa qytetarët dhe ekipet e shpëtimit po tentojnë të ndihmojnë banorët e bllokuar.

Në mesin e futbollistëve shqiptare dhe atyre me prejardhje shqiptare që kanë reaguar ndaj këtij rasti është edhe Granit Xhaka, i cili postoi në llogarinë e tij zyrtare në Instagram.

Në anën tjetër, grupi i tifozëve të Prishtinës, Plisat, kanë njoftuar përmes një postimi në llogarinë zyrtare në rrjetin social Facebook se janë duke grumbulluar ushqim dhe veshmbathje për të prekurit nga tërmetet në Shqipëri, përderisa në orën 15:00 do të nisen për atje. 

(Kosova Sot Online)